Integrimi

Kosovari kërkon uljen e dënimit, 16 vjet burg për vrasje

Trupi gjykues e kishte shpallur atë fajtor se e kishte mbytur rojën e diskotekës, një shtetas gjerman, duke e goditur shtatë herë me thikë

Në prill të vitit 2011, një shqiptar nga Kosova, atëbotë 22 vjeçar kishte mbytur një roje të diskotekës në Grenchen, kantoni i Soloturnit. Rreth një vit më vonë ai qe dënuar me 16 vjet me tre muaj burg. I dënuari e ka atakuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe e ka dërguar lëndën në Gjykatën e Lartë të kantonit.

Prokuroria, e cila kishte kërkuar 16 vjet burg dhe masën e kujdestarisë, pas shqiptimit të dënimit të përmendur, ku përfshihej edhe masa e kujdestarisë, nuk kishte arsye për të bërë ankesë.

Trupi gjykues e kishte shpallur shqiptarin e ri fajtor për faktin në natën e 3 prillit të vitit 2011 në orën 3 të mëngjesit në diskotekën “Luxory” të qytetit Grenchen e kishte mbytur rojën e diskotekës, një shtetas gjerman, duke e goditur shtatë herë me thikë.

Ndërkaq, dje (e mërkurë) ka filluar procesi i ri gjyqësor për rastin e njëjtë. I dënuari për vrasje ka kërkuar nga gjykata e lartë e kantonit që t`ia ulë dënimin dhe t`ia heqë masën e kujdestarisë.

Gjatë marrjes në pyetje ai ka shprehur pendim të thellë, duke thënë se ka bërë shumë gjëra gabimisht pasi që atëbotë ai zemërohej shumë shpejtë, por tash ka ndryshuar, falë edhe terapisë të cilës i është nënshtruar.

Trupi gjykues është marrë të mërkurën shumë me deklarimet e autorit të ekspertizës psikiatrike, shkruan grenchnertagblatt.ch. Edhe pas shumë pyetjeve, ai nuk ka mundur të thotë prerazi nëse te i dënuari vepron terapia psikiatrike ose jo. Sipas tij, është e pamundur të bëhet një prognozë e tillë.

Nga ana tjetër, avokati i të dënuarit ka kërkuar që të konstatohet se klienti i tij nuk ka sulmuar i vetëm, gjegjësisht rojtari tashmë i vrarë është sulmuar nga një numër sulmuesish, kështu që kosovarit i takon vetëm një pjesë e fajit. Tetë vjet burg sipas tij do të ishte dënimi i duhur për 25 vjeçarin.

Shqiptimi i dënimit pritet të hënën e javës që vjen.