Gjuha

Fshati shqiptar në Bullgari, ku po ruhet gjuha shqipe

Mandrica, një fshat i vogël në Bullgari, si pjesë e komunës së Ivaylovgrad-it, është i njohur si fshat shqiptar, shkruan albinfo.ch.

Edhe pse të paktë në numër, shqiptarët aty kanë arritur ta ruajnë gjuhën e kulturën. I themeluar në vitin 1636 nga tre vëllëzër shqiptarë, fshati ka ruajtur të folmen shqipe. Madje është themeluar edhe shoqata “Bashkimi për rilindjen e fshatit të Mandricës”.

Së fundmi, me kryetarin e kësaj shoqate, Ivalyo Petrov, është takuar edhe ambasadorja shqiptare në Bullgari, Donika Hoxha. Përmes një postimi në Twitter, ajo ka shkruar:

“Kënaqësi takimi me përfaqësuesin e shoqatës “Mandrica”, Ivalyo Petrov. Mandrica u themelua në vitin 1636 nga 3 emigrantë shqiptarë. Pavarësisht barrierave ndër vite, banorët e fshatit kanë arritur të ruajnë gjuhën e vjetër shqipe dhe të shfaqin me krenari prejardhjen e tyre”. 

Ndërsa nga Ministria e Diasporës së Shqipërisë kanë thënë se është botuar doracaku bullgarisht-shqip në formën e folur atje. Po ashtu, nga MD kanë njoftuar se pritet botimi i librit kushtuar historisë së këtij fshati.