Zhvillim

Kosova ua çelë dyert biznesmenëve gjermanë

Ministri Hoxhaj theksoi se Gjermania është një ndër partnerët kryesor strategjik të Kosovës prandaj bizneset gjermane janë të mirëseardhura në Kosovë

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj i ka ftuar biznesmenët gjerman që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë. Këtë ftesë Hoxhaj e ka adresuar gjatë një takimi që ka zhvilluar në Prishtinë me një grup të ndërmarrësve nga Gjermania të cilët po vizitojnë Kosovën.

Shefi i diplomacisë kosovare i ka njoftuar biznesmenët gjermanë për të arriturat e gjithanshme në Kosovë, duke veçuar progresin në fushën e zhvillimit ekonomik dhe social. Në këtë kontekst, ai foli për angazhimet e fuqishme të Qeverisë së Kosovës për përmirësimin e ambientit të të bërit biznes.

Hoxhaj theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të krijuar kushte optimale për bizneset e huaja që të investojnë në Republikën e Kosovës.

Shefi i diplomacisë kosovare veçoi rëndësinë që ka për Kosovën tërheqja e investimeve nga Gjermania, duke iu referuar faktit se Gjermania është një ndër partnerët kryesor strategjik të Republikës së Kosovës.

Delegacioni i ndërmarrësve gjermanë i udhëhequr nga Dr. Peter Spary dhe Carsten Wege, vlerësuan progresin që po arrihet në Kosovë. Ata theksuan se kanë ardhur që të shohin për së afërmi Kosovën si vend potencial për investime dhe se do të ftojnë edhe investitorë të tjerë gjermanë për të investuar në Kosovë.