Tematike

Rreziku nga gjakmarrja nuk e mbron vrasësin e dyfishtë nga dëbimi në Kosovë

“Kur dikush e vret personin  tjetër me qëllim, nuk duhet që rrezikun për gjakmarrje që e kërcënon atë ta përdorë si argument për të drejtën e qëndrimit të përhershëm të tij në Zvicër”, argumentojnë gjyqtarët e Bernës

Në një vendim të saj të shqiptuar ditë më parë, Gjykata Administrative e Kantonit të Bernës ka vendosur që një shtetas kosovar i moshës 58 vjeçare, pasi ta mbarojë vuajtjen e dënimit, duhet të lëshojë Zvicrën. Fjala është për personin e dënuar për vrasje të dyfishtë të kryer në vitin 2008 në qytetin Wil të Kantonit St. Gallen, i cili po mbahet në burgun penal në St.Gallen, shkruan sda.ch.

Ai, në një zënkë në mes të dy familjeve kosovare kishte vrarë në mes të rrugës dhe në mënyrë gjakftohtë një baba dhe të birin e tij 18 vjeçar, transmeton albinfo.ch.

Siç shihet në vendimin e Gjykatës Administrative të Bernës, 58 vjeçari, në vitin 2020, pas vuajtjes së dy të tretave të dënimit, mund të lirohet me kusht nga burgu. Ai, gjatë qëndrimit në burg – ishte i dënuar me 18 vjet heqje lirie – ka mbaruar me sukses një psikoterapi të dedikuar për delinkuentë. Sipas raportit të terapisë, te personi në fjalë nuk ka indikacione për recidivizëm (përsëritje të deliktit).

Por megjithatë, sipas pikëpamjes së gjyqtarëve të Bernës, një prognozë e besueshme në këtë drejtim nuk duket e mundur, pasi që “sjellja e mirë” e një të burgosuri në hapësirat e ngushta të burgut nuk nënkupton sjelljen e tij të mundshme në kushte të lirisë, përcjell albinfo.ch. Ndërsa për shkak të dënimit të lartë dhe veprës së rëndë, në këtë rast duhet të vlejë gjithsesi praktika e rreptë e Gjykatës Federale, sipas së cilës nuk lejohet lëshim qoftë edhe kur rreziku për recidivizëm është shumë i ulët.

Në ankesën e tij në Gjykatën Administrative, kosovari kishte deklaruar se në rast kthimi në Kosovë, atë e kërcënonte gjakmarrja që do të ushtrohej nga familjarët e personave që i kishte vrarë. Sipas qëndrimit të gjykatës, ndonëse gjakmarrja në Kosovë vazhdon të jetë e pranishme, kthimi i personit në fjalë në Kosovë, marrë në përgjithësi, nuk është i paarsyeshëm.

Veç kësaj, komentet e prezantuara të tij nga interneti, të regjistruara në vitin 2009 nuk përbëjnë dëshmi konkrete për ekzistim të një rreziku të mëtejmë për gjakmarrje. Gjykata supozon se situata ndërkohë është qetësuar, transmeton albinfo.ch. I dënuari, viteve të fundit është shprehur shumë herë se nuk ka frikë nga represioni.

Por, edhe nëse do të kishte shenja për rrezikim të tij, gjyqtarët do të këmbëngulnin në heqjen e lejes së qëndrimit të përhershëm në Zvicër (Viza C) të kosovarit. Kjo për faktin se as në Zvicër nuk mund të përjashtohet rreziku që ndonjë person  të vinte ilegalisht nga Kosova me qëllime gjakmarrjeje. Dhe përfundimisht, sipas gjykatës, kosovari rrezikun nga hakmarrja duhet t`ia referojë sjelljes së tij personale, tranmseton albinfo.ch.  “Kur dikush e vret personin  tjetër me qëllim, nuk duhet që rrezikun për gjakmarrje që e kërcënon atë ta përdorë si argument për të drejtën e qëndrimit të përhershëm të tij në Zvicër”, argumentojnë gjyqtarët e Bernës.