Integrimi

Dokumentari “Ferdonija” do të shfaqet edhe në Gjermani

Qendra Kulturore Shqiptare në Shtutgart (Gjermani) do të mbajë një program kulturor për shqiptarët e diasporës, përcjell albinfo.ch.

Në mesin e aktiviteteve të ndryshme, më datë 23 qershor, në kuadër të këtij organizimi, është paraparë të shfaqet edhe dokumentari “Ferdonija” i realizuar nga Gazmend Bajri dhe Shkurta Dauti.

Ky dokumentar paraqet jetën e një gruaje gjakovare, e cila humbi të gjithë pjesëtarët e familjës gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Programi, që pritet të fillojë në ora 14:00, do të ketë edhe aktivitete të tjera, si promovime librash, monografi, monodrama e muzikë të lehtë shqiptare.

“Fati, guximi dhe suksesi” i Bekim Brestovcit dhe “QKSHSH 05.05.2012 deri 05.05.2019” nga Viktor Spaqi, janë dy libra që do të promovohen këtë mbrëmje.

Bekim Brestovci është kryetar i Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, kurse Viktor Spaqi është kryetar i Qendrës Kulturore në Shtutgart”.

QKSHSH, përmes një shkrimi në Facebook, ka ftuar të interesuarit për pjesëmarrje. Programi kulturor mbahet më 23 qershor 2019 në Kursaal ,Konigsplatz 1, 70372 Stuttgart.