Integrimi

Deputetit Fehr, padi për punësimin pa letra të serbes nga Kosova

Në shënjestër të prokurorisë është edhe azilkërkuesja e punësuar nga ai ashtu si dhe 14 të tjerë që po ashtu e kishin punësuar atë në të zezë.

Prokuroria e përgjithshme e Cyrihut ka iniciuar javën e kaluar procedurë penale kundër deputetit nacional nga partia SVP/UDC, Hans Fehr. Ai dyshohet se ka punësuar ilegalisht një azilkërkuese (serbe nga Kosova) si pastruese në shtëpinë e tij. Kjo nënkupton marrje në punë „pa letra” të një personi që nuk ka fare të drejtë pune dhe të cilit nuk i janë paguar të gjitha kontributet sociale.

Duke bërë këtë veprim, Fehr ka shkelur ligjin e punës dhe atë të AHV-së (Sigurimit të moshës dhe të trashëgimisë). Në shënjestër të prokurorisë është edhe azilkërkuesja e punësuar nga ai ashtu si dhe 14 të tjerë nga Eglisau, (vendi ku banon Fehr) që po ashtu e kishin punësuar atë në të zezë.

Rasti „Fehr” ka shkaktuar jehonë të madhe për faktin se ka qenë pikërisht ky deputet i cili në vitin 2004 ishte angazhuar me të madhe për ndalim gjeneral të të drejtës së punës për azilkërkuesit, shkruan sonntagszeitung. Fakti se bashkëshortja e deputetit Hans Fehr, Ursula Fehr është kryetare e komunës nga e njëjta parti (SVP) dhe gjyqtare e qarkut, e ka bërë rastin edhe më të mprehtë.

Pas bërjes publike të aferës, Fehr dhe bashkëshortja e tij kanë kërkuar falje publikisht dhe kanë premtuar që të kompensojnë kontributet e mbetura të sigurimeve sociale për azilkërkuesen e punësuar.