Integrimi

Vetëm 60 nga 22.000 ballkanas kanë fituar azilin në Gjermani

Nga afër 22.000 azilkërkues të Bosnjës, Maqedonisë dhe Serbisë sa janë paraqitur në Gjermani gjatë vitit 2013 vetëm 60 kanë fituar azilin!

Telashet e vendeve të BE-së dhe sidomos Gjermanisë me azilkërkuesit e rrejshëm nga Ballkani kanë sjellë deri në “pikën e vlimit” shkallën e durimi të autoriteteve të vendeve të përmendura. Në përputhje me këtë, Gjermania ka vendosur që në një të ardhme të afërme shtetet si Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia të konsiderohen si “vende të sigurta të prejardhjes”. Një klasifikim i tillë mundëson që azilkërkuesit nga këto vende të trajtohen me procedura të shpejtuara dhe pa mbikëqyrje të hollësishme të shkaqeve të ardhjes së tyre për të kërkuar azil.

Siç shkruan magazina gjermane “der Spiegel”, shumica e azilkërkuesve që kohëve të fundit vijnë në Gjermani janë, përveç nga Siria e Afganistani, edhe nga shtetet e Ballkanit .

Nga afër 22.000 azilkërkues të Bosnjës, Maqedonisë dhe Serbisë sa janë paraqitur në Gjermani gjatë vitit 2013 vetëm 60 kanë fituar azilin! Kjo gjë tregon për kotësinë e kërkimit të azilit të personave nga këto vende.

Por, organizata “Pro Asyl” ka kritikuar këto plane të shtetit gjerman. “Kuota e ulët e njohjes së azilit vjen si pasojë e asaj se as sot nuk bëhet shqyrtim i mirëfilltë i kërkesave që vijnë nga këto vende. Ndërsa, po u shpallën këto pesë vende shtete të sigurta, autoritetet do të kenë edhe një pretekst më shumë që të mos merren fare në mënyrë serioze e këta njerëz”.

Si hap i radhës do të jetë shpallja nga qeveria gjermane e gjithë botës si vend i sigurt, me përjashtim të Zvicrës, pasi që numri i azilkërkuesve nga Zvicra është shumë i ulët”, ironizon “Pro Asyl.”