Kosova

Deputeti zviceran, Alfred Heer: Në Kosovë do të sjellim investitorë zviceranë

albinfo.ch sjell Intervistën e parë ekskluzive me deputetin zviceran Alfred Heer, inicuesin e themelimit të Odës Tregtare Zvicër Kosovë dhe kryetarin e Odës, Musa Komani.

Deputeti zviceran i partisë së djathtë, SVP-së, Alfred Heer, është bashkëthemelues i Odës Tregtare Zvicër-Kosovë dhe një mik i shqiptarëve që është i angazhuar në sjelljen e investitorëve zviceranë në Kosovë. Bashkë me mikun e tij, kryetarin e Odës Tregtare, Musa Komani, ata janë në fazën e hartimit të projekteve për rritjen e bashkëpunimit tregtar mes Zvicrës dhe Kosovës.

Iniciativa e tyre ka marrë bekimin e niveleve më të larta politike zvicerane e kosovare në inaugurimin e Odës më 15 maj në Cyrih. Tri javë pas zyrtarizimit të Odës Tregtare, albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me deputetin e Parlamentit të Zvicrës, iniciatorin Alfred Heer dhe presidentin e Odës, Musa Komanin.

Angazhimi i tyre i parë është gjetja e investitorëve zviceranë për ndërtimin e termocentralit për prodhimin e energjisë. Ai pret nga Zvicra që ta mbështesë me 80 milionë ndërtimin e termocentralit të ri.

Albinfo.ch: Keni marrë një përkrahje të gjerë në inaugurimin e Dhomës Tregtare Zvicër-Kosovë. Kjo mes tjerash tregon që edhe pritjet, sidomos nga ana kosovare, janë të mëdha. Cila është strategjia e punës që do të ndiqni?

Alfred Herr: Themelimi është një sukses dhe qëllim i yni i parë është të bëjmë anëtarë dhe pritjet janë natyrisht të mëdha. Por ne kemi projekte të mira dhe në bashkëbisedim me ministrin e Ekonomisë (mendon Valdrin Lluka), hapin e parë do të angazhohemi që të sigurojmë financimin e termocentralit, i cili do të ndërtohet i ri për prodhimin e energjisë. Një pjesë e kësaj do të duhej të financohej nga Zvicra me garanci të sigurimit zviceran të eksporteve (Schweizerische Export Versicherung) me përafërsisht 80 milionë franga. Unë tani si politikan dhe deputet i Zvicrës, do të angazhohem që ky projekt i rëndësishëm për Kosovën të realizohet. Banka Botërore nuk jep para, sepse është energji që prodhohet prej qymyri dhe ndot ambientin, megjithatë Kosova posedon sasi të madhe qymyri dhe kjo është alternativa më e mirë për sigurimin e energjisë. Ky do jetë hapi ynë i parë që do të jemi aktivë.

Musa Komani: Oda Tregtare Zvicër-Kosovë është pritur jashtëzakonisht mirë. Kishte reagime pozitive. Kam marrë urime nga afaristë dhe politikanë në të dyja shtetet. Do të thotë më së miri është pritur këtu nga investitorët zviceranë të cilët ende kanë rezerva për të investuar në Kosovë. Nëpërmjet Odës Tregtare Zvicër Kosovë ata do të jenë më të sigurt në realizimin e projekteve reciproke. Do të thotë e kanë mbështetjen tonë duke iu garantuar edhe sigurinë. Këtë mbështetje tani do ta kenë investitorët zviceranë ndërsa Kosova do të përfitojë më shumë ekonomikisht nga fuqia ekonomike që ka Zvicra. Menjëherë pas themelimit ne kemi punuar në përshpejtimin e miratimit në Parlament të Marrëveshjes sociale Zvicër-Kosovë. Ky është rezultati i parë nga Oda Tregtare Zvicër Kosovë.

Albinfo.ch: Keni bërë diçka konkrete në këtë drejtim?

Alfred Heer: Po, fillimisht kam biseduar me ministrin tonë Parmelin, ata kanë një sigurim që mbulon rrezikun e eksportit (Schweizerische Export Versicherung) po ashtu jemi në kontakt me ministrin kosovar të ekonomisë dhe të tjerë që të shohim mundësitë e avancimi të këtij projekti.

Musa Komani: Ne po punojmë që sa më shpejt të konkretizohen projektet e para Zvicër-Kosovë që vendi mos të braktiset nga të rinjtë. Me ndihmën e Zvicrës do të krijohen vende pune. Atje vazhdon të mungojnë shkollat profesionale që për të janë mundësi më e lehtë për punësim. Shkollat që do të hapen në Kosovë sipas modelit zviceran ne po punojmë që të njihen në Zvicër. Shkollat profesionale janë paraparë si projekt i Odës Tregtare Zvicër Kosovë në fazën e parë, kuptohen me investim zviceran.

Albinfo.ch: A keni bërë një analizë të bashkëpunimit tregtar mes Zvicrës dhe Kosovës dhe mundësisë së shkëmbimit tregtar duke veçuar ndonjë sektor të veçantë?

Alfred Heer: Kjo është gjëja e parë që duam të bëjmë. Problemi është se në Kosovë importohet praktikisht çdo gjë. Kosova nuk ka idustri të veten apo shumë pak. E vetmja gjë që ka është industria e ndërtimeve që po lulëzon te kosovarët e diasporës, të cilët ndërtojnë shtëpi atje, dhe infrastruktura që janë në ndërtim të autostradës. Por sinqerisht, ne duhet të koncentrohemi dhe të bisedojmë me Industrinë e Ndërtimit (Baugewerbe). Zoti Bigler ka qenë po ashtu prezent në inaugurimin e Odës dhe është drejtor i Industrisë së Ndërtimit të Zvicrës. Ne dëshirojmë ta ngrejmë në këmbë një program shkëmbimi mes Zvicrës dhe Kosovës, ku kosovarët do të mundë të vinin në Zvicër për trajnime profesionale në bujqësi apo në ndërtim, por edhe në kujdestari (Pflege) ose p.sh. në informatikë. Kështu ne dëshirojmë të ndërtojmë një platformë trajnimi të kuadrove të reja kosovare.

Albinfo.ch: Parlamenti i Zvicrës ka miratuar këtë javë marrëveshjen me Kosovën për pensionet me 115 vota pro 60 kundër dhe dy abstenime. Deputeti i SVP-së, Raymond Clottu, në emrin e grupit të tij parlamentar ka kërkuar që marrëveshja të mos miratohet. Sa do gjeni ju përkrahje nga bashkëpartiakët tuaj, duke parë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës?

Alfred Heer: Nuk e kemi themeluar për SVP-në, e kemi bërë për Kosovën dhe Zvicrën, për miqësinë dhe për të ardhmën e Kosovës dhe të Zvicrës. Unë kam votuar pro miratimit. Mbi të gjitha Oda Tregtare është një organizim mbipartiak.

Musa Komani: Në Odën Tregtare Zvicër Kosovë e kemi tejkaluar politikën, këtu vjen në konsiderim vetëm ekonomia. Ne jemi të hapur për të gjithë biznismenët që të sjellin idetë dhe projektet e tyre.

Albinfo.ch: E ndjeni presionin e kolegëve tuaj të SVP-së?

Alfred Heer: Jo aspak. Unë gjithnjë kam bërë atë që kam dashur. Nëse jam i bindur për ndonjë ide, atëherë e bëj. Nuk është se SVP është kundër, ne jemi një parti pro industrializimit e ekonomisë dhe shumica e kosovarëve janë po ashtu aktivë në ndërtimtari. Por, keni të drejtë, një pjesë e SVP-së kanë rezerva. Mirëpo mua kjo nuk më intereson. Ne duhet të shohim përpara. Kosova nuk është më si para 20 vjetëve, ka një rini të mirë e të kualifikuar që dëshirojnë të bëjnë ndryshime pozitive dhe këtë proces duhet ta mbështesim. Nuk mundemi gjithnjë të flasim për të kaluaren sa keq ka qenë, por të shohim përpara.

Albinfo.ch: Jeni regjistruar tek organet e shtetit të Zvicrës?

Alfred Heer: Po, e kemi regjistruar në Cyrih dhe në tërë Zvicrën si shoqatë me statut dhe të gjitha dokumentacionet e tjera.

Albinfo.ch: Keni deklaruar se ideja për themelimin e Dhomës Tregtare mes Kosovës dhe Zvicrës, ka lindur nga një miqësi mes jush dhe z. Komanit. Për çfarë miqësie bëhet fjalë?

Alfred Heer: Po, po unë njoh edhe shumë shqiptarë të tjerë, jo vetëm zoti Komanin. Ka shumë shqiptarë dhe nuk i anashkalon dot (qesh). Njoh shumë futbollistë dhe të tjerë nga jeta jonë e përditshme.

Musa Komani: Ideja erdhi pas konsultimeve me mikun tim, Alfred Heer, me të cilin kam miqësi prej disa vjetësh. Ai më tha cka mund të bëjmë më shumë për zhvillimin e Kosovës dhe u dakorduam të krijojmë Odën Tregtare Zvicër – Kosovë. Pas vizitave në terren në Kosovë erdhi edhe te inaugurimi i këtij organizmi ekonomik në praninë edhe të instancave më të larta të shtetit të Zvicrës dhe Kosovës. Në jetësimin e këtij projekti nga ka mbështetur edhe Konsullata kosovare në Cyrih.

Albinfo.ch: Ku e shihni potencialin e bashkëpunimit mes Zvicrës dhe Kosovës. A keni ndërmarrë deri më tani diçka në këtë drejtim?

Alfred Heer: Në kualifikimin apo trajnimeve të dyanshme si një lloj shkëmbimi per të rinjtë dhe natyrisht investime, që firmat zvicerane të investojnë në Kosovë dhe gjithsesi të shohim çfarë mund të importojmë nga Kosova.

Musa Komani: Hapja e shkollave profesionale, ndërsa më imediate është mungesa e deponive për riciklimin e mbeturinave.  Mjedisi është në gjendje jo të mirë, po edhe ujërat e zeza. Shumë firma zvicerane janë të ineteresuara të investojnë në Kosovë por iu duhet edhe siguri. Tani e kanë më të lehtë nëpërmjet Odës Tregtare Zvicër Kosovë që të vijnë atje. Tani kemi përreth firma të mëdha që i janë bashkuar Odës, por unë Musa Komani pa bizneset e tjera nuk do të jem në gjendje t`i shtyj projektet përpara.

Albinfo.ch: Pas inaugurimit të Odës Tregtare ne Cyrih muajin e kaluar, ka pasur një reagim të kryetarit të Odës Ekonomike Zvicër-Kosovë, Stefan Sarkany, duke e cilësuar themelimin Odës Tregtare si një konkurrencë drejtuar iniciativës së tyre. Si e komentoni ju këtë?

Alfred Heer: Për ne kjo nuk është konkurrencë, ne mund të punojmë bashkë dhe nëse ai dëshiron ta mbulojë Zvicrën frankofone, ne jemi të gatshëm për bashkëpunim. Megjithatë duhet të flasim me te dhe të shohim si tutje. Ne kemi marrë një përkrahje të gjerë me minstrat e ekonomisë Parmelin dhe Lluka dhe një spekter i gjerë i politikanëve të tjere nga Zvicra dhe Kosova që kanë marrë pjesë në inaugurimin e Odës Tregtare.