Integrimi

Avniu, përkthyesi hero që zmbrapsi pengmarrësin në Munih

"Pengmarrësi bërtiste dhe shante në gjuhën serbokroate", kujton Avni Kryeziu, i cili e njihte këtë gjuhë. "Ai ankohej se nuk e lejonin të kërkonte azil në Gjermani"

Për pengmarrjen që ndodhi më 1 prill në Aeroportin e Munihut është shkruar gjerë e gjatë. Vazhdon të mbetet enigmë përkatësia nacionale e pengmarrësit, azilkërkuesit 28 vjeçar i cili ishte i regjistruar si shtetas kosovar. Sidoqoftë, përkatësia e tij “kosovare” ka marrë dhenë, e përhapur nga mediet gjermane, ndërsa demantit të bërë nga ministria kosovare e punëve të jashtme i është bërë shumë më pak jehonë.

Një javë pas këtij akti që për fat kaloi me fare pak pasoja, për publikun gjerman është bërë i njohur edhe ai që po cilësohet “heroi i ngjarjes”, Avni Kryeziu, një 44 vjeçar që punon në aeroportin e Munihut, në sektorin e paketimeve. Pasi që pengmarrësi (Muslim H.)  ishte paraqitur si kosovar, zyrtarët policorë e  thërrasin Avniun për të përkthyer. Shqiptari 44 vjeçar nga Kosova tregon për mediet gjermane rrjedhën e ngjarjes.

Ishte koha pak para përfundimit të ndërrimit të paradites, kur ai merr një telefonatë urgjente, tregon Kryeziu. Kërkohej dikush që di të flasë “jugosllavisht”. Gjuha amtare e Kryeziut është shqipja. “Kështu, unë nuk mendova dy herë dhe, nën përcjelljen e policisë shkova me të shpejtë te aeroplani”, thotë ai për der spiegel. Pasagjerët tashmë kishin zbritur ndërsa vetëm pengmarrësi me stjuardesën që e mbante të ngujuar ndodheshin ende në në kabinë.

“Ai bërtiste dhe shante, natyrisht në gjuhën serbokroate”, kujton paketuesi. Për fat Kryeziu e njihte edhe këtë gjuhë. “Me dy policë mbrapa meje iu afruam pengmarrësit. Më dridheshin duart. Por ndërkohë ai ishte qetësuar paksa, kur kishte vënë re se më në fund dikush po i kuptonte fjalët që i thoshte”.

Kryeziu pastaj përkthente atë që thoshte Myslimi. E ai bërtiste se nuk e kuptonte përse autoritetet gjermane nuk e lejonin të bënte kërkesë azili në Gjermani. Ankohej se kushtet e azilit në Hungari (ku ai ishte në procedurë) ishin të mjerueshme etj.  “Ata pak minuta sa zgjati biseda jonë mu dukën sikur orë të tëra”, thotë Avniu. Ai i kishte sqaruar pengmarrësit se ai mund të bënte kërkesë për azil por sigurisht jo në këtë mënyrë. 

“Pas kësaj ai e hodhi në tokë zhiletin dhe çoi duart lart”. Kryeziu është i sigurt se edhe vetë pengmarrësi ishte i kënaqur që gjithçka po përfundonte. “Ai më ka falënderuar tri herë”.

Paketuesi shqiptar shto se orët shtesë të punës në ditën kritike i kishte bërë me kënaqësi. “Jam i lumtur që kam mundur të ndihmoj. Kam bërë vetëm atë që më takonte. Shpresoj se edhe stjuardesa e lënduar do të bëjë së shpejti më mirë”.

Ditën tjetër pas kësaj, Avniu kishte shkuar në punë si çdo ditë tjetër. Por, për ndryshim, atë të gjithë e shikojnë si një hero.