Gjuha
Mësimi shqip në Bonn zhvillohet në tri shkolla
Krahas mësimit në Rüngsdorf dhe në Tannenbusch, është hapur edhe një grup i ri në një shkollë në lagjen e Bonnit, Duisdorf
Për shumicën e filloristëve në qytetin e Bonnit në Landin e Nordrhein-Westfalenit, mësimi të premten mbaron diku në mesditë. Por jo edhe për Dorart Përzhakun, një nxënës i klasës së dytë i cili pas përfundimit të mësimit në shkollën gjermane, niset për në shkollën tjetër ku e pret mësimi në gjuhën shqipe.
Në oborrin e shkollës „Paul-Klee“ në lagjen e bukur Rüngsdorf të ish kryeqytetit gjerman, tashmë ishin mbledhur nxënësit të cilët prisnin orën 14 për të filluar mësimin e tyre. Mësuesja, zonjusha Mimoza Mehana, kishte përgaditur klasën për grupin prej 20 nxënësve të moshave të ndryshme që këtë ditë mësimin po e fillonin me leximin e një teksti në gjuhën shqipe. Pas leximit të tekstit, nxënësit shkruanin fjalët e panjohura në tabelë dhe së bashku përpiqeshin te gjenin domethënien e tyre. Derisa Dorarti shkruante me kujdes disa nga fjalët e reja që po i mësonte sot , disa nxënës tjerë bisedonin për pushimet e ardhshme verore.
“Komunikimi i nxënësve në gjuhën amtare është një nga qëllimet kryesore të këtij mësimi” thotë mësuesja Mehana, e cila për disa vite punon me fëmijët shqiptarë në qytetin e Kölnit dhe Bonnit. “Nxënësit që i kam sot këtu janë të moshave të ndryshme, vijnë nga shkolla të ndryshme gjermane, madje disa prej tyre rrjedhin nga martesa të përziera, andaj niveli i njohjes së gjuhës shqipe është i ndryshëm” vazhdon Mimoza Mehana.
Të interesuarit, në listën e pritjes sepse kapacitetet janë të kufizuara!
Landi i Nordrhein-Westfalenit i kushton rëndësi të madhe mësimit të gjuhës amtare për nxënësit me prejardhje nga vendet e tjera. Vetëm në Bonn ofrohet mësimi ne 13 gjuhë të huaja. “Vlen të përmendet angazhimi i madh i zotëri Frank Rosbund nga Enti Shkollor i Bonnit që ka mundësuar që mësimi shqip në këtë vit të mbahet në tri shkolla të qytetit. Krahas mësimit këtu në Rüngsdorf dhe në Tannenbusch, prej këtij viti shkollor kemi hapur edhe një grup të ri në një shkollë në një lagje tjetër të Bonnit në Duisdorf.
Interesimi për këtë grup është i madh. Disa nga të interesuarit janë në listën e pritjes sepse kapacitetet janë të kufizuara” shton Mimoza Mehana, e cila ndjek studimet për Master në Gjermanistikë dhe rrjedh nga një familje me traditë mësuesish. Babai, Fevzi Mehana është veteran i mësimit shqip në Gjermani. Qysh në vitin 1979 kishte filluar të punojë me fëmijët shqiptarë. Nëna Xhyzidja është po ashtu mësuese e gjuhës shqipe në qytetin e Duisburgut. Të inspiruar nga prindërit, edhe vëllai dhe motra e mësueses Mimozë kanë zgjedhur punën me nxënës dhe janë të punësuar në shkolla gjermane.
Babai që ka ndjekur mësimin shqip, e dërgon edhe të birin
“Jam e lumtur që kam rastin të punoj me fëmijë shqiptarë e t’ju ndihmoj atyre të mësojnë jo vetëm gjuhën shqipe por të njihen edhe me kulturën, historinë e gjeografinë e trojeve shqiptare.” shprehet e entuziazmuar z. Mehana në Ditën e Mësuesit që koincidoi me vizitën time në këtë shkollë. Kjo festë, por edhe festa e 8 Marsit, ishin temat e ditës. Nxënësit dëgjonin me kureshtje por edhe diskutonin duke bërë përpjekje që të fshihnin dialektin e tyre gjerman por jo edhe kënaqësinë për mësimin e fjalëve të reja shqipe që i dëgjuan në këtë ditë.
Dy orë mësimi kaluan shpejtë. Mësuesja u përshëndet me nxënësit dhe u nis për të vazhduar punën në shkollën tjetër shqipe, në Tannenbusch.
Dorarti i hareshëm, me një shqipe të rrjedhshme i rrëfente babait të tij, që e priste te dalja e shkollës, për ditën që e kishte kaluar këtu.”Prindërit e mi i kanë kushtuar rëndësi të madhe mësimit të gjuhës shqipe” rrëfen babai i Dorartit Hamzë Përzhaku, i rritur në Bonn ku studioi mjekësinë dhe tani punon si mjek në Spitalin Johanniter. Përvoja e mirë në shkollën shqipe e shtyri atë që edhe Dorartin ta dërgojë në këtë shkollë.
“Unë e kam ndier veten gjithmonë mirë në shkollën shqipe. Ajo ishte si një fole tingujsh shqip, ku mësuesi tash i pensionuar Sabri Gashi punonte me përkushtim të madh me ne“ kujton Përzhaku kohën si nxënës. „Mësimi i gjuhës amtare më ka ndihmuar shumë të mësoj edhe gjuhët tjera. Shpresoj që këtë përvojë ta ketë edhe Dorarti“ përfundon Përzhaku.
Edhe pse nuk dihet saktësisht numri i shqiptarëve në Bonn dhe rrethinë si dhe nevojat e tyre për shkollim në gjuhën amtare, mund të thuhet se shkolla shqipe këtu po punon me sukses. Mundësitë e mësimit që ofrojnë Bonni dhe qytetet tjera në këtë pjesë të Gjermanisë janë për çdo lëvdatë dhe ndihmojnë fëmijët emigrantë si në integrimin në shoqërinë gjermane dhe në ruajtjen e vlerave te gjuhës së vlefshme amtare.
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë Municione snajperi nga kompania zvicerane P Defence thuhet se kanë mbërritur në Ukrainë në korrik 2023...
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha