Integrimi

Përkundër njohjes nga Gjermania, Bavaria i trajton kosovarët si shtetas serbë!

Bavaria dhe Saksonia janë të vetmet lande (njësi federale) të Gjermanisë, të cilat, përkundër njohjes me kohë të shtetit të Kosovës nga Gjermania, i trajtojnë kosovarët si shtetas të Serbisë

Grupi Parlamentar i Partisë së Gjelbër në Parlamentin e Landit të Bavarisë ka kritikuar praktikën restriktive që autroitetet bavareze ndjekin në natyralizimin e shtetasve të Kosovës, shkruan wiesentbote.de.

Siç është shkruar tashmë edhe në albinfo.ch, Bavaria dhe Saksonia janë të vetmet lande (njësi federale) të Gjermanisë, të cilat, përkundër njohjes me kohë të shtetit të Kosovës nga Gjermania, i trajtojnë kosovarët si shtetas të Serbisë. Ato pra, qytetarëve të Kosovës që duan të marrin nënshtetësinë gjermane u kërkojnë që të heqin dorë nga nënshtetësia serbe, krahas asaj kosovare.

“Dhe kjo ndodh edhe për ata kosovarë të cilët kanë lindur në Bavari, Gjermani dhe nuk kanë asnjë lidhje me Serbinë”, ka theksuar Tim Pargent, deputet i gjelbër në këtë parlament, transmeton albinfo.ch. “Ky është një ankth për njerëzit nga Kosova, me vullnet për t`u integruar në Gjermani. Atyre u duhet që për shkak të mungesës së vullnetit nga ana e shtttit serb, të shpenzojnë jashtëzakonisht shumë kohë dhe shpesh edhe para.

Për t`u shkarkuar nga nënshtetësia serbe, duhet t`i paguhet një shumë e madhe parash Konsullatës Serbe në Munih, krahas një humbjeje të madhe të kohës, në mënyrë që gjithçka të zhvillohet në mënyre të rregullt. Ose duhet paguar njerëz ndërmjetësues, një praktikë kjo kriminale që nuk u bën nder kosovarëve dhe aq më pak autorieteve të Bavarisë”, ka thënë tutje deputeti.

Deputetët e gjelbër në Parlamentin e Bavarisë kërkojnë përmes zëdhënëses së tyre për azil, integrim dhe refugjatë, Gülseren Demirel që të thjeshtësohet “taktika për shmangjen e natyralizimit” të kosovarëve, përcjell albinfo.ch. Në rastet kur aplikuesit nuk kanë nënstetësi serbe, edhe autoritetet bavareze nuk duhet të kërkojnë heqje dorë nga kjo nënshtetüesi e cila në fakt është joekzistuese”, ka thënë Tim Pargent.

“Në rastet në të cilat aplikuesit kanë provuar të lirohen nga nënshtetësia serbe por që pastaj kanë dështuar për shkak të abuzimeve nga autoritetet serbe, duhet që në të ardhmen edhe autoritetet bavareze t`i njohin si të mjaftueshme këto përpjekje”.