Integrimi

Beneluksi dhe Franca krijojnë rrjetin e bizneseve të diasporës

Më 22 dhe 23 mars 2014 në Bruksel dhe në Paris u mbajtën forumet për themelimin e rrjetit të bizneseve të diasporës për vendet e BeNeLux-it dhe për Francë

Në këto dy forume të ndara morën pjesë një numër i madh i biznesesh, nga të cilët u zgjodhën edhe dy kryetarë, nga një për secilin rrjet të biznesit në shtetin përkatës.

“Në takimin e parë më 22 mars në Bruksel, ambasadorja e Kosovës në Mbretërinë Belge, Mimoza Ahmetaj ka përshëndetur të pranishmit duke folur për qëllimin dhe rëndësinë e themelimit të rrjetit të bizneseve.”, njofton Ministria e Diasporës

Më tutje bëhet e ditur se udhëheqës i delegacionit nga Ministria e Diasporës ishte Naim Dedushaj, drejtor i Departamentit të Investimeve, i cili edhe i udhëhoqi forumet.

Me këtë rast, ai i theksoi mundësitë dhe përparësitë e investimit në Kosovë, si dhe lehtësitë që rrjetëzimi i bizneseve u sjell afaristëve nga diaspora.

Bashkim Kelmendi, pronar i kompanisë “MENDI-SPRL”, u zgjodh kryetar i Rrjetit të bizneseve të diasporës për BeNeLux, ndërkaq Fatime Ahmeti nënkryetare, kurse Ahmet Xhanaj sekretar.

Ndërsa më 23 mars 2014 në Paris forumin e kishte hapur ambasadori i Kosovës në Republikën e Francës,  Muhamedin Kullashi.

“Nga gjithsej 11 persona ishin  të propozuar, Bujar Marevci, nga Ferizaj, mërgimtar në Francë, u zgjodh kryetar i Rrjetit të bizneseve për Francë, Ismet Mehmeti , nënkryetar, ndërsa Agim Tonuzi sekretar i këtij rrjeti”, thuhet mes tjerash në komunikatën e MeD-it.