Kosova

Veseli për banorët në veri: Nuk do t’i lëmë asnjëherë vetëm

Kryetari i Kuvendit të Kosovës ka vizituar banorët e fshatit Çabër të Zubin Potokut, me ç’rast ka thënë se nuk do t’i lënë vetëm.

Vizita e tij erdhi pas një aksioni që zhvilloi Policia e Kosovës në veri, siç u raportua, për të luftuar kontrabandën.  

“Shkova dhe bisedova me banorët e fshatit Çabër të komunës kosovare të Zubin Potokut, për t’i qetësuar dhe siguruar ata se shteti i Kosovës mbetet i përkushtuar për të vendosur rendin dhe ligjin në çdo pjesë të Kosovës. Ne nuk do t’i lëmë asnjëherë vetëm ata. I sigurova që, me përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve tanë perëndimorë, ne do t’ia dalim të ndërtojme një shtet liberal-demokratik të së drejtës e sundimit të ligjit. Do të ndërtojmë një shtet, ku të gjithë qytetarët të bëjnë jetën e tyre të qetë dhe të sigurt në vendin e tyre”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Gjatë këtij aksioni të Policisë u raportua se është plagosur një polic, e të tjerë janë lënduar. Po ashtu, policia ka arrestuar disa persona.