Financa

Si ta negocioni pagën me punëdhënësin tuaj?

Puna është shumë e vlefshme sa i përket ndërtimit intelektual por jo vetëm, e njëjta ka rëndësi edhe për shkak se shërben në aspektin financiar, pra edhe në ndërtimin jetësor të një individi. Paga është shpërblimi i përpjekjeve të personit për t’i realizuar detyrat e tij në punë. E paga, jo gjithherë mund të jetë e pranueshme për një individ. Prandaj, negocimi i pagës është proces shumë i rëndësishëm por edhe i vazhdueshëm gjatë tërë karrierës së një personi.

Gjatë një interviste për  KosovaJob, Anesa Ramaxhiku Begolli, me profesion Menaxhere e Burimeve Njerëzore dha disa këshilla si të kalohet me sukses procesi i negocimit të pages, përcjell albinfo.ch.

Pse duhet të mësohemi ta negociojmë pagën?

Ramaxhiku-Begolli tha se pavarësisht se a është puna e parë apo e pestë e dikujt, është e rëndësishme të mësohet se paga mund të negociohet.

“Nëse mendoni që nuk paguheni sa e meritoni dhe nuk negocioni, atëherë kjo dëmton përformancën tuaj në punë. Negocimi i pagës i tregon një punëdhënësit që e njihni vlerën e punës tuaj dhe siguron përfitime tjera përveç atyre financiare. Kjo ju ndihmon të mësoni se si të përballeni me biseda të vështira në punë, në një frymë profesionale, bashkëpunuese dhe jo-kontradiktore”, nënvizoi ajo.

Ajo jep disa këshilla thelbësore për të gjithë punëkërkuesit dhe  punëmarrësit, të cilët hasin në vështirësi për ta diskutuar pagën me punëdhënësin e tyre.

Hulumtoni industrinë specifike dhe zonën gjeografike. Nëse dëshironi ta merrni pagën që e meritoni, është e rëndësishme të dini shkallën e pagesës për pozicionin tuaj në industrinë specifike dhe në zonën tuaj gjeografike.

Caktoni numrin e saktë. Sipas studimeve, punëmarrësit të cilët thonë një numër të saktë gjatë negocimit për pagë, kanë më shumë gjasa të marrin një ofertë përfundimtare më afër asaj që kanë pranuar fillimisht për shkak se punëdhënësi do të supozojë se keni bërë hulumtime më të gjera për vlerën e pozitës në treg për të arritur tek ky numër specifik.

Caktoni pagën që ju do të ishit të motivuar për punën që do bëni. Gjatë konsiderimit të ofertës financiare, ju duhet ta caktoni pikën më të ulët – ofertën të cilën nuk mund ta pranoni. Këtu mund të bazoheni në nevojën financiare, vlerën e tregut ose pagës që ju do të ishit të motivuar për punën që do bëni për të siguruar një performancë të mirë në vendin e punës. Refuzimi i ofertës nuk është i lehtë, por është e rëndësishme të dini kur ta bëni atë dhe të jeni të gatshëm të thoni “jo” nëse ajo nuk është në pritshmërinë tuaj, duke u bazuar në kriteret e lartcekura.

Tregoni se çfarë mund të bëni. Para se të filloni të flisni me numra, flisni për atë që keni bërë dhe më e rëndësishmja-çfarë mund të bëni.

Konsideroni përfitimet tjera. Në momentin kur jeni në negocim të një oferte të punës, një rëndësi të madhe, përveç kompenzimit financiar, kushtojini edhe mundësisë së zhvillimit në karrierë dhe përfitimeve tjera. Mundohuni të kuptoni se cili do të jetë rrugëtimi juaj i zhvillimit në karrierë në këtë kompani, cilat janë pozitat në të cilat ju do të konsideroheshit për ngritje në pozitë. Përveç pagës dhe ngritjes në pozitë, ju mund të negocioni edhe përfitime të tjera, si p.sh shpërblimet në bazë të peformancës, sigurimin shëndetësor, familjar dhe të tjera.

Rezultate të pyetësorëve të ndryshëm në mbarë botën kanë treguar se shumë njerëz kurrë nuk e kanë sjellë në tavolinë diskutimin mbi pagën. Ramaxhiku-Begolli thotë se kjo mund të ndodhë për shkaqe të ndryshme.

“Bisedimi rreth pagës i bënë njerëzit të ndjehen jo rahat, sidomos kur kërkohet më shumë. Kjo ndodh për shkak të mungesës së hulumtimit për pagat e në industri dhe në rajon për pozitën specifike, mungesës së aftësive të negocimit, mendimit se nëse negocioni mund të duket sikur po kërkoni shumë”

E për ta shmangur një gjë të tillë, Ramaxhiku-Begolli tha se duhet të konsiderohen të gjitha përparësitë dhe mangësitë gjatë shqyrtimit të negociatave.

“Krijoni një propozim me ide të qarta, që i tregon punëdhënësit aftësitë e juaja. Negocimi në fund të fundit dërgon një mesazh të rëndësishëm tek punëdhënësi dhe është thjesht pjesë e procesit të rekrutimit”

Kur duhet një punëtor të diskutojë pagën me punëdhënësin e tij?

Ndonëse shumë njerëz hezitojnë ta diskutojnë pagën me punëdhënësin, sipas Ramaxhiku-Begolli kjo nuk është edhe aq e vështirë sa duket.

“Negociatat rreth pagës nuk janë aq të komplikuara sa duken. Pagën duhet ta negocioni kur ta keni ofertën (e shkruar) në dorë,  kur ta keni bërë të qartë vlerën që po sillni në kompani dhe keni bërë hulumtimet e duhura para se të propozoni një shifër”

Krejt në fund, ajo theksoi se është e rëndësishme të kuptohet që secila situatë është e ndryshme. Negociatat rreth pagës mund të jenë të frikshme, por gjithmonë duhet të tentohet që biseda të mbahet në një frymë pozitive.