E-Diaspora
Granit Xhaka: Në Zvicër dhe në Kosovë, jam në shtëpinë time
Në intervistën për albinfo.ch ylli i futbollit, Granit Xhaka, flet për lidhjen e tij me Kosovën, për mirënjohjen ndaj Zvicrës dhe për shumë tema të tjera
Granitin e kemi takuar në hotelin ku është bërë grumbullimi i përfaqësueses zvicerane, një natë para ndeshjes testuese kundër Kroacisë, në St. Gallen. Albinfo.ch ka realizuar me atë rast një intervistë ekskluzive me Granit Xhakën, që bën pjesë në një rreth të ngushtë të futbollistëve më mirë shqiptarë në përgjithësi.
Por, nuk është vetëm mjeshtëria dhe teknika e lojës së futbollit ajo që e dallon Granitin. Ai, edhe pas gjithë famës që e ka fituar, ka mbetur “me këmbë në tokë”. Kjo u pa gjatë bisedës që bëmë me të por edhe në spontanitetin që ai tregonte në kontakt me fansat. Një grup prej 5-6 tinejxherësh, kryesisht shqiptarë, nuk i ndaheshin, duke biseduar me të, duke marrë nga ai autografe dhe duke u fotografuar me idhullin e tyre. Ata edhe vetë ishin futbollistë që luanin për U-15 të St. Gallenit dhe te Xhaka shihnin mishërimin e asaj çfarë ata duan të bëhen në të ardhmen.
Në intervistën për albinfo.ch ylli i shquar i futbollit Granit Xhaka ka folur për lidhjen e tij me Kosovën, për mirënjohjen që ai dhe futbollistët tjerë shqiptarë kanë ndaj Zvicrës, pastaj për formën e tij aktuale, për kombëtaren e Kosovës etj.
albinfo.ch: Ju, në raste të ndryshme keni bërë deklarata të forta lidhur me kritikat e bëra nga qarqe të ndryshme në Kosovë e në Shqipëri për zgjedhjen tuaj që të luani për Zvicrën e jo për Shqipërinë. Si ndjehet një i ri sikur ju në këtë fushë tensionesh, në mes dy zjarresh?
Granit Xhaka: Duhet të them se sidomos periudha kur kemi luajtur kundër Shqipërisë, nuk ka qenë aspak e lehtë, jo vetëm për ne, futbollistët shqiptarë të Zvicrës por edhe për familjet tona. Të luash në Zvicër dhe të dëgjosh ë fishkëllimat e 13 mijë shqiptarëve kundër teje, nuk është aspak ndjenjë e mirë. Por tash, pasi që Kosova e fitoi të drejtën për të zhvilluar ndeshje miqësore në kuadrin e Fifa-s, ky presion ka rënë, situata është bërë më e qetë.
albinfo.ch: Por a nuk ka tash kërkesa që ju të luani për Kosovën?
G. Xhaka: Mund të ketë por për ne momentalisht nuk shtrohet kjo temë kur dihet se Kosova aktualisht mund të luajë vetëm lojëra miqësore dhe ne për lojëra miqësore nuk mund të ndërrojmë ekipin, gjegjësisht nuk na lejohet.
Kështu që është ende herët të flitet për Kosovën. Me thënë të drejtën ne as nuk na ka kontaktuar kush nga federata e atjeshme, sigurisht edhe duke dashur të mos na prishin punë.
– Kur Kosova të pranohet në Fifa, mund të rishikojmë vendimin
Unë i jam mirënjohës Zvicrës për të gjitha. Jam i lindur në këtë vend, këtu e kam kryer shkollimin, kam mësuar lojën e futbollit dhe jam bërë ky që jam. Ndërkohë vendin tim, Kosovën, nuk e harroj kurrë dhe jam shumë i lidhur me të. Por, siç e thashë, angazhimi për Kosovën në këtë fazë, nuk është temë. Nëse Kosova pranohet me të drejta të plota si anëtare e Fifa-s, atëherë mund ta rishikoj pozicionin tim.
albinfo.ch: Kur jemi te kombëtaret. Në opinionin shqiptar vazhdon të jetë aktual debati: a duhet të kenë shqiptarët një kombëtare apo dy, si janë sot: një Shqipëria dhe një tjetër Kosova?
G. Xhaka: Është e vërtetë se ne jemi një komb por kemi dy shtete. Realiteti është i tillë. Pasi që tash e kemi shtetin, si Kosovë, duhet të bëjmë edhe përfaqësuesen e futbollit të Kosovës. Ne si lojtarë shqiptarë në kombëtaren e Zvicrës kemi biseduar së bashku dhe e kemi përgëzuar vendimin për lejimin e miqësoreve të kombëtares së Kosovës. Kështu do t`i jepet një shans lojtarëve nga Kosova që të shpërthejnë izolimin, të luajnë me ekipe të vendeve të huaja. Krejt në fund unë besoj se Kosova do të ketë një ekip shumë të mirë.
albinfo.ch: Loja në Borussia Mönchengladbach. Nga fillim, rreth një vit keni pasur probleme serioze. Ndërkohë jeni stabilizuar, keni gjetur veten në atë mes. Si do a përshkruanit këtë krizë dhe daljen prej saj?
G. Xhaka: E vërtetë. Viti i parë në Gladbach për mua nuk ka qenë i lehtë dhe as i thjeshtë. Pritjet që kanë pasur për mua kanë qenë shumë të mëdha sidomos pasi që transferi im kishte kushtuar 10 milionë etj. Shikuesit kanë pritur tepër dhe unë i kam gjetur nën presion. Por me kalimin e kohës jam stabilizuar dhe për këtë duhet të falënderoj edhe trajnerin që ma dha shansin. Tash jam shumë i lumtur me pozitën time në ekip.
albinfo.ch: A do të thotë se tash e ke siguruar një vend stabil aty?
G. Xhaka: Paj, trajneri ynë (Lucein Favre, zviceran) thotë gjithmonë se nuk ka vend stabil për askënd por duhet gjithmonë të tregosh angazhim dhe vullnet për ta meritar dhe mbajtur vendin.
Ekipi ynë momentalisht është në vendin e shtatë. Nuk e kemi filluar shumë mirë sezonin pranveror, kemi tri humbje dhe tri barazime. Por megjithatë jemi mbi mesin e tabelës ndërsa na ndan vetëm një pikë nga mundësia për të marrë pjesë në Ligën Evropiane.
– Në Gjermani: një javë me babin, një javë me mamin
albinfo.ch: A ka shqiptarë në ekipin tuaj, në kategori tjera, më të reja. Në përgjithësi, si qëndron puna me futbollistët shqiptarë në Gjermani?
G. Xhaka: Këtu është një shqiptar shumë i talentuar 13-14 vjeçar që luan me sukses në kategorinë përkatëse. Por duhet theksuar se duke shikuar në kategori të ndryshme të klubeve gjermane, nuk gjen aq shumë shqiptarë sikur në Zvicër.
albinfo.ch: Është kështu sepse edhe konkurrenca atje është më e fortë, asaj i thonë bundesligë, apo jo?
G. Xhaka: Ka diçka nga kjo por jo vetëm kaq. As në Zvicër nuk është lehtë të depërtosh por ka edhe përkrahje më shumë, pastaj ne si shqiptarë në Zvicër jemi më të shumtë si të huaj.
albinfo.ch: Ku ndjehet Xhaka më shumë “në shtëpi të vet”: Në Zvicër apo në Gjermani, ku jeton prej dy vitesh?
G. Xhaka: Natyrisht që më së miri ndjehem në shtëpi, dhe kjo është në Zvicër, pasi që këtu jam i lindur dhe jam rritur, këtu e kam familjen. Por në Mönchengladbach ku jetoj tash, jam vazhdimisht me mamin ose me babin. Një jave me mua rri babi ndërsa javën tjetër atë e ndërron mami. Ata duhet të ndërrohen sepse edhe këtu, në Bazel, jeton vëllai, Taulanti, që luan për FC Basel dhe ata duan të jenë edhe me të. Ndërsa unë, sapo t`i kem dy-tri ditë të lira, vi në Zvicër, e vizitoj familjen, shokët.
albinfo.ch: Si duket jeta private e Granitit?
G. Xhaka: Sigurisht, edhe unë kam jetë private por nuk e teproj. Tepër rrallë shkoj nëpër diskoteka, nëpër ndeja (party) etj. Vetëm kur të kem ndonjë vikend të lirë, ndodh të marr pjesë në ndeja të tilla.
-Shqip ndërmjet veti
albinfo.ch: Jeni zakonisht 5 deri në 6 lojtarë shqiptarë në vendgrumbullimet e përfaqësueses zvicerane. Si flisni ju në mes vete kur jeni bashkë?
G. Xhaka: Patjetër që flasim shqip…
albinfo.ch: … për shkak të Behramit, pasi që ai nuk e njeh gjermanishten?
G. Xhaka: Jo, Behrami i flet shumë gjuhë, veç shqipes ai flet edhe anglisht, frëngjisht dhe gjermanishten bazike. Domethënë nuk flasim shqip vetëm për shkak të tij, por për shkak se ashtu ndjehemi më mirë. Ne rrimë shumë bashkë në të njëjtën tavolinë.
albinfo.ch: A ua zënë ndonjëherë për të madhe?
G. Xhaka: Epo nuk mund të na e zënë për të madhe pasi dihet se nga 6 shqiptarë, vazhdimisht luajmë 5 standard (qeshet).
albinfo.ch: Cili nga ju është më gazmor, më i gjallë?
G. Xhaka: Shaqiri, ai është më “hajgarexhiu” në mesin tonë. Por edhe ne, të tjerët, nuk e lëmë keq.
albinfo.ch: Kë e ke më të afërt prej futbollistëve shqiptarë?
G. Xhaka: Me Xherdanin rri më shumë. Madje isha në një vizitë te ai javën e shkuar. Por Valon Behramin e kemi të gjithë si shembull ngase është më i madhi e moshë, ka përvojë më shumë dhe është për ne si vëllai më i madh.
albinfo.ch: Ku qëndron dallimi në mes të bundesligës së parë gjermane dhe superligës së Zvicrës. Cila janë përvojat tua?
Nuk ka rëndësi nëse rrëzohesh, rëndësi ka të ngrihesh prapë
G. Xhaka: Dallimi është shumë i madh. Sidomos te përgatitja fizike dhe forca. Po ashtu disiplina në Gjermani është më e ashpër. Në Zvicër, ta zëmë, po e bëre një gabim të falet. Edhe i dyti e ndonjëherë edhe i treti. Ndërsa në Gjermani jo! Këtë ashpërsi e konstatojnë të gjithë ata që vijnë nga ligat tjera në Gjermani. Për këtë arsye unë jam i bindur se bundesliga është liga më e fortë në botë.
albinfo.ch: Ndoshta për këtë arsye ke pasur probleme edhe ti, në fillim kur ke kaluar të luash atje?
G. Xhaka: Ka mundësi që të jetë edhe kjo. Edhe pse unë e kam ditur pak a shumë se ku është dallimi. Por unë them se njeriu mund të rrëzohet por me rëndësi është që ai sërish të ngrihet nga toka dhe të vazhdojë përpara. Këtë e kam bërë unë. Më ka ndihmuar edhe familja të cilën e kam pasur gjithmonë afër, dhe sidomos vëllai, që është po ashtu futbollist i njohur, Taulanti.
Taulanti, futbollist më i mirë se unë!
albinfo.ch: Cili është raporti me vëllain. Keni luajtur bashkë, pastaj ti ke kaluar në Gjermani e ai ka mbetur në Zvicër. (Nuk po të pyesim se cili është më i mirë!).
G. Xhaka: Taulanti është lojtar më i mirë se unë. Por unë kam pasur më shumë fat. Për shembull, trajneri i atëhershëm në FC Basel, Thorsten Fink më ka dashur mua më shumë dhe më ka dhënë shanse më tepër mua e më pak vëllait. Pastaj Taulantin e çuan në Grasshopers si huazim dhe tash është kthyer në Fc Basel ku po luan standard. Viti i kaluar në Grasshoppers i ka bërë shumë mirë nga ana mentale. Dallimi në mes meje dhe Taulantit: Ai është pak më agresiv në lojë ndërsa unë konsiderohem si më elegant në fushë, si teknikisht më i mirë. Ndërsa në jetën e përditshme dallojmë me karaktere të ndryshme: ai është më i qetë e më i mbyllur ndërsa unë jam më çapkën, më gazmor.
albinfo.ch: Jeni me prejardhje nga Kosova, por nga cili vend?
G. Xhaka: Familja e gjerë jeton në Prishtinë. Babai është i ardhur nga Llapi e nëna nga Prishtina. Në internet (në wikipedia) mund ta gjeni se jam i lindur në Gjilan por ky është një gabim që nuk e di si ka ndodhur.
Ka tetë vite që pushimet i bëj vetëm në Kosovë
albinfo.ch: A shkoni shpesh në Kosovë?
G. Xhaka: Në Kosovë shkoj çdo dimër dhe çdo verë. Në fakt unë qe 8 vjet nuk kam bërë fare pushime tjetërkund pos në Kosovë. Nuk lakmoj që të shkoj askund tjetër. Më mjafton Kosova, aty i kam familjarët, gjyshërit dhe të tjerët prandaj atje kaloj më së miri.
Por lidhjen me Kosovën besoj se e tregojnë edhe ndihmat që së bashku me vëllain i kemi dërguar disa here atje. Kemi dërguar materiale të ndryshme të Naike-s, rekuizita të futbollit. E kemi ndihmuar “Prishtinën”, “Trepçën” etj. Ndërsa tash, verën që vjen e kemi një projekt bashkë me Taulantin për të ndihmuar fëmijët që i kanë humbur prindërit në luftën e fundit.
Mund të them se këtë dashuri për Kosovën na e ka ushqyer edhe babai, i cili ka qenë i dënuar politik në Kosovë, për çka edhe ka ardhur në Zvicër. Këtu pastaj ka lindur vëllai, Taulanti dhe pas një viti, edhe unë.
albinfo.ch: Ju dukeni kaq shumë i lidhur me Kosovën. A mendoni të martoheni me një vajzë kosovare?
G. Xhaka: Po, do të kisha dëshirë të martohem me një vajzë kosovare. Ashtu shpresoj, por të shohim, kjo mund te presë.
albinfo.ch: Cili është idhulli yt i futbollit?
Idhulli im: Zidane
G. Xhaka: Si lojtar nga fillimi e kam pasur dhe vazhdoj ta kem idhull Zidane-n, edhe për faktin se ai e ka luajtur pozicionin tim në fushë.
albinfo.ch: Po në mes të Messit dhe Ronaldos, cilin e pëlqeni më shumë?
G. Xhaka: Ronaldon. Ai më pëlqen më shumë edhe si tip por mendoj edhe se është lojtar më komplet.
albinfo.ch: Edhe për faktin se i përngjan, apo?
G. Xhaka: Edhe për atë (qeshet).
Albinfo.ch: Si do t`i këshillonit të rinjtë në Zvicër, çka duhet të bëjnë për të qenë të suksesshëm ?
G. Xhaka: Së pari duhet të kesh fatin dhe shëndetin. Pastaj, të jesh në vendin e duhur, në kohën e duhur. Futbollist nuk është lehtë të bëhesh, të duhet edhe shumë disiplinë. Të kesh kujdes me kë po del, me kë po rri, po edhe të bësh shumë stërvitje. Gjithmonë ne si të huaj na duhen më shumë stërvitjet se të tjerët.
Shumica e të rinjve sot merren më pak me sport. Kam përshtypjen se ka kaluar më ajo kohë me talente të pasionuar pas futbollit. Ne si fëmijë dhe adoleshentë e kemi marrë më seriozisht futbollin. Nuk ka mundur të na ndajë askush prej tij, nuk e kemi ditur kur është mjaft. Ne kemi bërë shumë futboll rruge. E sot sheh shumë pak të rinj që bëjnë futboll rruge. Ata e kanë më lehtë sepse mund të na marrin si shembull ne si futbollistë të suksesshëm. Por duket se nuk po ndodh kështu.
albino.ch: Ku është sot Graniti në kombëtaren e Zvicrës?
G. Xhaka: Trajneri Hitzfeld ka sjellë risi në ekip, ka bërë një lidhje mes futbollistëve të rinj dhe të vjetër. Ne si të rinj kemi treguar guximin dhe kemi krijuar një kombinim të mirë me futbollistët me përvojë po edhe me tërë stafin. Mendoj se tash ka atmosferë më të mirë se kur kanë qenë lojtarët e gjeneratës më të vjetër.
Unë kam rol ndryshe në reprezentacionin e Zvicrës në krahasim me atë në Mönchengladbach. Këtu jam sulmues.
albinfo.ch: Për cilin ekip të madh do të kishe luajtur më me dëshirë?
G. Xhaka: E dua Bajernin për shumë arsye. Tashmë edhe pse Xherdani është aty dhe e kam shok dhe kalojmë mirë. Prej ligave tjera unë pëlqej atë angleze.
albinfo.ch: Cili do të ishte mesazhi juaj për lexuesit e albinfo.ch?
G. Xhaka: Integrimi në Zvicër sot nuk është i vështirë. Duhet pasur respekt reciprok për vendin ku kemi migruar. Duhet medoemos t`i përshtatemi vendit ku jetojmë por natyrisht duke e ruajtur identitetin prej nga jemi. Secilën herë kur më pyesin, unë them se jam shqiptar. Kam lindur në Zvicër por jam me etni shqiptare. Unë edhe kur shkoj ne Kosovë i respektoj ligjet e atjeshme, prandaj edhe këtu duhet t`i përshtatemi rregullit të vendit ku jetojmë.
E-Diaspora
-
13 vjet burgim për shqiptarin që hyri për të vjedhur një shtëpi në Londër Afro 13 vjet burgim për shqiptarin që vodhi shtëpinë e Raheem Sterling...
-
Leutrim Aliji, pianisti virtuoz që bashkoi muzikën klasike me shpirtin shqiptar
-
Art Julius Aurel kandidon për parlamentin e Steiermark-ut
-
Rihapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës
-
Promovohet në Cyrih libri i Shkëlzen Gashit “Masakrat në Kosovë 1998 -1999”
Jeta në Zvicër
-
Si mund të kurseni para duke ndryshuar politikën tuaj shëndetësore në Zvicër? Afati i fundit për ndryshimin e siguruesit tuaj shëndetësor zviceran është më 30 nëntor. Këtu janë...
-
Gjithçka që ndryshon në jetën në Zvicër nga muaji dhjetor
-
Ky është tregu më i mirë zviceran i Krishtlindjeve në Zvicër
-
Kafshët shtëpiake në Zvicër tani kanë një dosje dixhitale shëndetësore
-
Çmimi i celularëve në Zvicër po bie