Ekonomi

Pesë gjëra që duhet t’i bëni para se të kërkoni rritje të rrogës

Të gjithë kanë të drejtë të përparojnë në punë dhe të kërkojnë ngritje në karrierën e tyre, apo rritje të pagës.

Dhe këtu janë disa hapa si ta arrini më lehtë këtë gjë, transmeton EO, përcjell albinfo.ch.

Merrni më shumë përgjegjësi – Para se të kërkoni një ngritje, duhet ta fitoni atë, prandaj në muajt që vijnë deri në shqyrtimin tuaj, filloni të merrni më shumë përgjegjësi në zyrë. Bëhuni vullnetar për të udhëhequr një projekt, për të marrë pjesë në një konferencë dhe për të sjellë njohuri të specializuara, ose për të gjetur një zgjidhje për një problem në ekip etj.

Bashkohuni në diskutime – Kur merrni pjesë në mbledhje, takime apo diskutime të ndryshme me eprorët apo kolegët tuaj, sigurohuni që të flisni ose të kontribuoni më shumë. Kjo do t’ju bëjë të mësoni më shumë prej tyre, të prezantoni më mirë veten tuaj para tyre si dhe të krijoni lidhjet e duhura.

Vlerësojeni veten tuaj – Ndërkohë që po bëni gjithë këtë punë të mrekullueshme, mbani shënim të gjitha arritjet tuaja, email-et që lavdërojnë punën tuaj, fitoret e arritura dhe çdo gjë tjetër që ka të bëjë më arritjet tuaja profesionale. Është e rëndësishme të njihni vlerën tuaj. Përdorni listën tuaj si një inspirim për të biseduar vetë me mbikëqyrësin tuaj, pasi shefi juaj nuk mund të jetë i vetëdijshëm për të gjithë të mirat që po bëni.

Bëni saktë llogaritë – Kur kërkoni një rritje rroge, qëndroni të arsyeshëm në atë që kërkoni. Sigurohuni që vlera ka kuptim brenda kompanisë dhe departamentit tuaj. Gjithashtu edhe pozicioni, koha e shpenzuar, kualifikimet profesionale duhet të jenë brenda vlerave që kërkohet nga kompania.

Praktika ju bën të përsosur – Praktikoni atë që do të thoni para takimit me shefin tuaj. Mësoni si të nisni një bisedë, si të paraqisni siç duhet arritjet tuaja dhe si të shprehni saktë kërkesat që keni.