Integrimi

Konsullata e Kosovës, vizitë burgut Champ-Dollon pas trazirave

“Nga drejtori i burgut jemi njoftuar se asnjëri nga shqiptarët e përfshirë në përleshjet e javës së kaluar nuk ka pësuar lëndime të rënda", thotë zv.konsulli për albinfo.ch

Javën e kaluar, në burgun Champ-Dollon të Gjenevës kanë shpërthyer disa përleshje radhazi ku janë përfshirë edhe një numër shqiptarësh, shtetas të Kosovës dhe të Shqipërisë. Për të mësuar më shumë rreth shkaqeve që sollën te kjo situatë, një delegacion nga Konsullata e Kosovës në Gjenevë ka vizituar burgun e përmendur me ç`rast është pritur nga drejtori i tij, Constantin Franziskakis.

Delegacioni në përbërje të konsullit të përgjithshëm, Ramadan Avdiu dhe zëvendëskonsullit, Arian Kashtanjeva, është interesuar veç tjerash, për gjendjen e tanishme të të burgosurve.

“Nga drejtori i burgut kemi marrë përgjigjen se asnjëri prej tyre nuk ka presuar lëndime të rënda dhe të gjithë janë lëshuar nga spitali, ku kanë marrë trajtimin e duhur”, shprehet për albinfo.ch zëvendëskonsulli, Arian Kashtanjeva.  Ne e kishim obligim moral të interesohemi për shëndetin e shtetasve tanë, pasi që gjatë këtyre ditëve kemi pasur edhe telefonata nga familjarët e tyre që nuk kishin njoftime të sakta për gjendjen shëndetësore të bijve të tre që ndodhen në këtë burg, shton ai.

“Po ashtu drejtori a ka njoftuar se janë marrë masa ndaj personave nga të dyja palët që kanë marrë pjesë në përleshje, me ç`rast disa prej tyre janë transferuar në burgje tera. Në përgjithësi, burgu i është kthyer qetësia dhe të burgosurit tashmë kanë filluar edhe komunikimin në mes vete”.

Sipas Kashtanjevës, drejtori i burgut ka theksuar se përleshjeve nuk u duhet dhënë karakter ndëretnik dhe se ai u është dhënë nga disa medie, pa vullnetin e drejtorisë. Franziskakis na ka siguruar se zënka ka shpërthyer nga një shkas banal, moshedhja e një topi gjatë lojës së futbollit në hapësirën për kohë të lirë”, thotë më tutje zëvendëskonsulli i Kosovës në Gjenevë.

Duke cituar drejtorin e burgut, Kashtanjeva thotë se nuk janë të vërteta shifrat që janë publikuar për numrin e madh të shqiptarëve që mbahen në këtë burg. “Në raport me popullatën shqiptare në Zvicër, numri i të burgosurve shqiptarë në këtë burg është mjaft i ulët, i ngjashëm me atë të komuniteteve tjera”, thotë ai, na ka siguruar Franziskakis.

Vizita e delegacionit kosovar është pritur shumë mirë nga drejtoria e burgut dhe është përshëndetur edhe nga kryetari i Qeverisë së Gjenevës Pierre Moudon, përfundon zëvendëskonsulli i Kosovës në Gjenevë, Arian Kashtanjeva.