Integrimi

Pesë shqiptarë, në “Miss & Mister Zvicra Frankofone 2019”

Tre djem dhe dy vajza shqiptare janë pjesë e garës së “Miss & Mister Zvicra Frankofone 2019”. Të pesë kandidatët shqiptarë janë në garë për të fituar titullin e më të bukurës/më të bukurit në kantonet e Zvicrës frankofone. Finalja do të mbahet më 1 qershor në Gjenevë. Albinfo.ch sjell për ju portretet e të pesë kandidatëve shqiptarë.

Fisnik Cakiqi: …do të doja të isha shqiponjë
Fisnik Cakiqi, 25-vjeçar, është i lindur në Gjermani, ndërsa me prejardhje është nga Drenasi. Ai ka përfunduar shkollën profesionale për riparimin e automjeteve. Jeton në Conthey në Zvicër. Është beqar dhe i padashuruar.

Albinfo.ch: Përse ke vendosur të marrësh pjesë në «Miss &Mister Zvicra Frankofone»?
Meqë jam në moshë të re kisha dëshirë që ta shijoja skenën e garave të bukurisë.Shumë vite kam hezituar dhe nuk kisha guxim. Tani erdhi momenti dhe shpresoj të kem sa më shumë suksese në «Miss & Mister Zvicra Frankofone 2019».

Albinfo.ch: Çfarë është për ty bukuria?
Bukuria për mua nuk është vetëm pamja fizike. Bukuria e vërtetë e një personi vërehet nga zemra e tij, nga mënyra e të shprehurit, nga përvoja dhe historia që e paraqet një person.

Albinfo.ch: Cilat komplimente ke dëshirë t`i dëgjosh më së shpeshti?
Komplimenti më i mirë për mua është kur më japin fjalë të mira për edukatën time. Kjo është kënaqësi jo vetëm për mua por edhe në sytë e nënës sime.

Albinfo.ch: Kur je në gjendje të keqe, çfarë bën që ta largosh nervozën?
Qetësohem vetëm duke bërë sport. Arrij ta bind veten se situata nuk është edhe aq e vështirë dhe vetëm më vetëbesim mund t`i kaloj të gjitha.

Albinfo.ch: Nëse do të ishe kafshë, cila kafshë do të të pëlqente të ishe?
Shqiponjë. Jo vetëm sepse jam shqiptar, por sepse shqiponja përfaqëson forcën dhe guximin.

Feride Mehmeti: Dashuria ime është familja
Feride Mehmeti, 21 vjeçe nga Ferizaj, banon në Nyon të Zvicrës. Me profesion është stomatologe, ndërsa nuk është e dashuruar.

Albinfo.ch: Çfarë do të thotë për ty të jesh ndër femrat më të bukura në Zvicër?
Për mua është kënaqësi dhe ndihem e lumtur të jem pjesë e një gare ku marrin pjesë femrat më të bukura të frankofonisë në Zvicër.

Albinfo.ch: Çka të pëlqen te vetja?
Më së shumti më pëlqen sinqeriteti.

Albinfo.ch; Dashuria për ty do të thotë…?
Familja. Nuk kam gjetur akoma një dashuri më të madhe se sa familjen time.

Albinfo.ch: Nëse do të ishte dhënë mundësia për të jetuar diku tjetër, cilin vend do ta zgjidhje?
Në Amerikë. Kam dëshirë të vazhdoj me modelim dhe në Amerikë mundësitë për të arritur suksese janë shumë më të mëdha se në Zvicër.

Albinfo.ch Filmi i preferuar?
«Vampires Diaries».

Fidan Prekazi: Në garë kam hyrë për të fituar
Fidan Prekazi, është 21-vjeçar nga Prekazi i Skënderajt, ndërsa banon në La Chaux-de-Fonds, kantoni Neuchatel. Është duke vijuar mësimet në profesionin e teknikut të ujësjellësit.

Albinfo.ch: Cili është qëllimi yt në këtë garë të «Mister Zvicra Frankofone»?
Kam dëshirë të provoj gjëra të reja në jetë. Besoj se kjo është një përvoje shumë e mirë për mua dhe të ardhmen time. Qëllimi im natyrisht është që të shpallem mister i kësaj gare.

Albinfo.ch: Ëndrra jote më e madhe?
Të bëhem një futbollist i njohur.

Albinfo.ch: Cili është momenti që ka ndryshuar jetën tënde?
Shërimi i babai tim, i cili ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, por falë Zotit dhe mjekëve sot është shëndosh e mirë. Aty e kam kuptuar se sa të rëndësishëm janë shëndeti dhe familja. Kur
kemi shëndetin e mirë, i kemi të gjitha.

Albinfo.ch: Pa çfarë nuk mund të jetosh?
Nuk kam diçka pa të cilën nuk mund të jetoja. Ne duhet t`i jemi mirënjohës Zotit për gjithçka që na ka dhënë në këtë jetë.

Albinfo.ch: Hobi yt?
Pushimet në vende të ndryshme dhe sporti, ndërkohë kohën e lirë e kaloj edhe me shoqëri.

MD: Fitoren do t’ua dedikoja prindërve të mi

MD është 18-vjeçare. Ajo ndjek mësimet në vitin e tretë në gjimnazin e ekonomisë. Me prejardhje është nga Prizreni dhe jeton në Lozanë.

Albinfo.ch: Nëse fiton kurorën e «Miss/Mister Zvicra», kujt do t`ia dedikoje fitoren?
Do t`ua dedikoja prindërve të mi dhe të gjithë atyre që do të kenë besim tek unë.

Albinfo.ch: Si ka qenë fëmijëria jote dhe cili është kujtimi më i bukur?
Kam pasur një fëmijëri shumë të lumtur. Kam një familje të madhe dhe të bashkuar.

Albinfo.ch: Çfarë bën para se të flesh?
Luaj me piano. Kam përfunduar shkollën speciale për piano. Pastaj përgatis gjërat e nevojshme që më duhen për ditën e nesërme dhe shikoj një film.

Albinfo.ch: Çfarë mendon se e bën një lidhje dashurie të lumtur?
Mendoj se duhet të ketë besim, sepse pa të, njeriu nuk është i lirë dhe nuk mund të përfitojë nga momentet e bukura që vetëm dashuria mund t’i dhurojë.

Albinfo.ch: Nga çka keni fobi?
Nuk kam besim në vetveten. Shpeshherë ëndrrat e mia nuk realizohen dhe kjo më kthen në një rutinë të mërzitshme.

Kenan Murseli: Udhëtimi më i bukur, në Nju-Jork

Kenan Murseli është 24-vjeçar nga Ferizaj dhe jeton në Payerne në Zvicër. Studion për menaxhment në Friburg.

Albinfo.ch: Si do ta përkufizosh veten me pak fjalë?
Jam njeri i sinqertë, familjar dhe besnik.

Albinfo.ch: Kush ta mbushi mendjen për të marrë pjesë në «Miss/Mister Zvicra» dhe pse?
Familja dhe shoqëria ime.

Albinfo.ch: Nëse nuk do të kishe profesionin që ke, cili do të ishte profesioni tjetër që të pëlqen?
Do të më pëlqente të isha avokat ose polic.

Albinfo.ch: Kujt i je mirënjohës për arritjet tua?
Gjithsesi nënës sime. Ajo ka dhënë gjithçka nga jeta e saj për mua. I kam borxh gjithçka në këtë jetë!

Albinfo.ch: Udhëtimi më i bukur?
Në Nju-Jork. Ishte një ëndërr për mua ta vizitoja, dhe e vizitova këtë vit. Ishte një vend i mrekullueshëm. Më pëlqeu si vend por edhe njerëzit ishin shumë miqësorë. Shpresoj ta vizitoj sa më shpejt.

misssuissefrancophone