Maqedonia

Pendarovski premton nënshkrimin e ligjeve që i refuzoi Ivanovi

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka thënë se me gjetjet e fundit vendi ka treguar se mund të sillet në mënyrë evropiane, ndërsa institucionet mund të punojnë me profesionalizëm.

Ai ka thënë  se pasi ta kompletojë ekipin e tij, do të shikojë për nënshkrimin e ligjeve, të cilat refuzoi t’i nënshkruajë ish-presidenti Gjorge Ivanov, transmeton albinfo.ch. Në mesin e ligjeve të refuzuara ishte edhe ai për gjuhen shqipe.

Pendarovski ka bërë të ditur se një pjesë e ligjeve do të nënshkruhen që në ditët e para të mandatit të tij. Presidenti i ri ka paralajmëruar se do të marrë pjesë në reformat, të cilat janë në kompetencat e tij. Pendarovski ka thënë se nuk do të ketë hakmarrje politike.

“Kush e shkel ligjin, do të përgjigjet , kush punon si duhet do të mbetet në punë pavarësisht nëse është pjesëtarë i partisë në pushtet, opozitës ose nuk është pjesëtar i asnjë partie politike”, ka theksuar presidenti.