Integrimi

Kosova merr model nga diaspora hungareze

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli thotë se modeli hungarez për diasporën është i shkëlqyer, prandaj mund të merren ide nga Budapesti

Modeli i Hungarisë për diasporën mund të konsiderohet i dobishëm edhe për  mërgatën kosovare, deklaron ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli. Ai këto komente i bëri pas një takimi që zhvilloi në Budapest, me sekretare e Shtetit për diasporën hungareze, Zsuzsanna Répás.

Makolli qëndroi për vizitë zyrtare në Republikën e Hungarisë, ku u takua me autoritetet e shtetit hungarez për diasporën si dhe me pjesëtarët e diasporës dhe të bizneseve shqiptare në Hungari.

 Ministri Makolli u prit në një takim të veçantë nga Zsuzsanna Répás, sekretare e Shtetit për diasporën hungareze, me të cilën bisedoi për mbështetjen që populli dhe shteti hungarez i ka dhënë dhe po i jep popullit dhe shtetit të Kosovës.

 Gjithashtu u bisedua për avancimin e bashkëpunimit mes Ministrisë së Diasporës dhe Republikës së Hungarisë.

 “Modeli i diasporës hungarez është i shkëlqyer, prandaj e konsideroj shumë të rëndësishme këtë takim, për të marrë informacion lidhur me politikën e Hungarisë për diasporën”, tha ndër të tjera ministri Makolli.

 Ndërkaq, Répás e prezantoi shkurtimisht situatën aktuale të diasporës hungareze, masat më të rëndësishme që janë ndërmarrë për mbështetjen e diasporës në ruajtjen e identitetit hungarez. 

Ajo tha se Qeveria hungareze gjithmonë është e hapur, sa i përket ndarjes së përvojave dhe praktikave më të mira.

Ministri Makolli e vizitoi edhe universitetin “ELTE”, me ç’rast u prit nga dekani  Tamas Dezso. Para të pranishmëve, ministri mbajti një fjalim në lidhje me proceset historike dhe politike në Kosovë, duke theksuar faktorët që i detyruan shqiptarët të emigrojnë jashtë vendit.

Ministri Makolli e vizitoi Katedrën e Gjuhës Shqipe në këtë universitet. Po ashtu, ministri kosovar i vizitoi tri biznese të diasporës shqiptare në Hungari, me ç’rast nga afër u njoh me nivelin e zhvillimit të këtyre bizneseve, si dhe gjetjen e mundësive për ta sjellë kapitalin e tyre në Kosovë.

 Sipas të dhënave jozyrtare, në Hungari jeton dhe vepron një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të diasporës dhe mërgatës, si dhe mbi 400 biznese familjare.