Shqipëria

Sheshi “Skënderbej”, çmimin e dytë për arkitekturë bashkëkohore në Europë

Pas çmimit prestigjioz europian për “Hapësirën Publike Urbane 2018” në Barcelonë, Sheshi “Skënderbej” ka marrë një tjetër vlerësim ndërkombëtar.

Mes 393 projekteve që garonin për Çmimin e Bashkimit Europian për Arkitekturën Bashkëkohore, sheshi “Skënderbej” mbërriti deri në finalen e madhe dhe fitoi çmimin e vendit të dytë, duke marrë vlerësimet më të larta nga juria profesioniste nga e gjithë Europa për fuqinë transformuese, fokusin te këmbësorët, qëndrueshmërinë dhe gjelbërimin, shkruan ATSH, përcjell albinfo.ch.

Ajo që ra në sy ishte gara e fortë dhe rezultati tejet i ngushtë i votimit, 4-3 në fazën finale, mes sheshit “Skënderbej” në Tiranë dhe projektit fitues të studios së famshme franceze “Lacaton- Vasal”, e cila konkuronte me një projekt godinash banimi dhe shërbimi në Bordo të Francës.

Ishte nënkryetari Arbjan Mazniku ai që mori çmimin në emër të Bashkisë së Tiranës në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ku vlerësohet përsosmëria dhe inovacioni në fushën e arkitekturës.