Integrimi

Dy shqiptarë, me SVP-në synojnë asamblenë e qytetit

Dy kandidatët shqiptarë të SVP-së, Agim Tusi dhe Mentor Desku deri më tash nuk kanë qenë të njohur për publikun. Ndërsa për EVP-në kandidon Blerim Bunjaku

Dita e votimeve sot në Winterthur, Kantoni i Cyrihut është e rëndësishme edhe për faktin se votuesit në këtë qytet do të bëjnë zgjedhjen e Asamblesë Komunale. 462 kandidatë synojnë njërin nga 60 vendet sa ka Parlamenti i Qytetit. Sondazhet e bëra së fundi dëshmojnë për një rrëshqitje në të djathtë të elektoratit në këtë qytet, gjegjësisht për një zvogëlim prej 2 për qind në kampin e socialdemokratëve dhe te gjelbërve. Më së shumti nga kjo pritet të përfitojë Partia e Gjelbër Liberale (GLP).

Ajo që është interesante për shqiptarët në këtë qytet është kandidimi në këto zgjedhje i tre shqiptarëve. Për më tepër është me interes kandidimi i tyre në dy parti që deri më tash nuk janë dalluar shumë për angazhimin e të huajve dhe edhe më pak shqiptarëve. Madje dy nga kandidatët shqiptarë i shohim në listën e SVP-së, e cila është e njohur më shumë për politikat restriktive në raport me të huajt. Në mesin e kandidatëve të SVP/UDC-së për Asamblenë e Winterthurit janë edhe shqiptarët Mentor Desku dhe Agim Tusi. Ndërsa për Partinë Evangjeliste (EVP) ka kandiduar Blerim Bunjaku, i cili, falë një interviste me albnfo.ch dhe pasatj me disa gazeta të Zvicrës  është bërë tashmë i njohur për publikun zviceran.

Dy kandidatët shqiptarë të SVP-së deri më tash nuk kanë qenë të njohur për publikun. Mentor Desku është menaxher i një restoranti në qendër të qytetit në Winterthur ndërsa Agim Tusi punon në shërbimin për kërkimin e automjeteve.

Ndryshe nga Bunjaku, i cili ka qenë mjaft aktiv dhe fotografitë e të cilit kane qenë të vendosura në disa pika të frekuentueshme të qytetit, dy kandidatët shqiptarë të SVP/UDC-së nuk kanë bërë ndonjë aktivitet parazgjedhor që është shënuar nga mediet e këtushme.

Në orët e pasdites albinfo.ch do të kumtojë rezultatet që do të publikohen nga partitë dhe nga organizuesi i zgjedhjeve.