Tematike

Si të shmangen dobësitë në fushën e të drejtave të fëmijëve dhe të të rriturve

Grupi i ri i punës duhet të kërkojë mundësitë se si të përfshihen më mirë personat e afërm të fëmijëve (dhe të të rriturve me nevoja të veçanta) në procedurat dhe vendimet që merr  Autoriteti për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të të Rriturve (Kesb)

Zyra Federale e Drejtësisë (BJ) ka themeluar një grup pune i cili duhet të identifikojë pikat ku ekziston nevoja për veprim në fushë të mbrojtes së të drejtave të fëmijës dhe të të rriturve. Kjo fushë ka disa vite që vazhdimisht nxjerr në sipërfaqe probleme të shumta që shkaktojnë debate të nxehta në mediat zvicerane, shkruan albinfo.ch.

Grupi i ri i punës duhet të kërkojë mundësitë se si të përfshihen më mirë personat e afërm të fëmijëve (dhe të të rriturve me nevoja të veçanta) në procedurat dhe vendimet që merr Autoriteti për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të të Rriturve (Kesb).

Këshilli Federal në raportin e tij ka prezantuar përvojat e para, mbi bazë të cilave ka konstatuar se në dy pika ekziston nevojë e sqarimit të mëtejmë. Një ekspertizë e jashtme ka ardhur në përfundimin se në pikat në fjalë nevojitet përmirësim ligjor. Në veçanti duhet përmirësuar mundësitë e familjarëve në mënyrë që ata, në të mirë të personave të prekur, të mund të mbrohen përmes rrugës ligjore kundër vendimeve të marra nga autoritetet.

Grupi i punës nën drejtimin e Zyrës Federale të Drejtësisë do të shqyrtojë se si duhet të veprohet më tutje në vështrim të një rishikimi të mundshëm të të drejtës së fëmijëve dhe të rriturve, përcjell albinfo.ch. Në rast nevoje do të përpunohet një projektligj për rishikimin e të drejtës së fëmijëve dhe të rriturve dhe deri në fund të vitit 2019 ai do të dërgohet në parlament për konsultim.

Motivi për një gjë të tillë është veç tjerash edhe iniciativa anti Kesb, e lancuar para një viti. Kjo iniciativë kërkon që anëtarët e familjes të përfshihen në mënyrë automatike, nëse duan dhe nëse personi i prekur nuk e ka rregulluar ndryshe. Vetëm në rast se shkaqe të rëndësishme flasin kundër familjes, atëherë në problemin konkret mund të përfshihet Kesb-i.