Sport

Spanjë: Kosova fiton tri medalje në Europianin e bodybuildingut dhe fitnesit

Në vendin që ende nuk e njeh Republikën e Kosovës, tre garues kosovarë janë shpërblyer me medalje, shkruan albinfo.ch.

Kosova ka marrë pjesë në Kampionatin Europian të bodybuildingut dhe fitnesit në Santa Susanna të Spanjës, dhe ka fituar tri medalje.

Nga Komiteti Olimpik i Kosovës kanë njoftuar se garuesit nga Kosova kanë fituar një medalje të argjendtë dhe dy të bronzta. Kushtrim Bajraktaraj mori medalje të argjendtë, kurse Besard Maxharraj e Granit Kuleta fituan medalje të bronzta.

“Paraqitje të mirë pati edhe Egzon Hyseni, që doli i katërti në kategorinë deri në 100 kilogramë. Xhevat Asllani zuri vendin e gjashtë në kategorinë -95 kilogramë, ndërsa Leon Berisha dhe Alban Gojani nuk u përfshinë në top 6-she”, thuhet në njoftimin e KOK-ut, përcjell albinfo.ch.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Bodybuildingut dhe Fitnesit të Kosovës, Sabri Dragusha, ka thënë përmes KOK-ut se Kosova pati respekt të madh, duke u përfaqësuar me simbole shtetërore, njësoj si vendet e tjera, pavarësisht se Spanja nuk e njeh Kosovën.

KOK ka përgëzuar për këtë sukses garuesit dhe gjithë komunitetin e bodybuildingut dhe fitnesit të Kosovës.

Foto: KOK