Lajme

“Engjëlli i Shqipërisë”, Marianne Graff nderohet me çmim të lartë

Së bashku me bashkëshortin e saj, Marianne e njohur tashme si “Engjëlli i Shqipërisë”, ndihmon Shqipërinë që nga viti 1992

Për misionet e saj humanitare në Shqipëri, menaxherja sociale dhe konsullja e nderit nga republika Steiermark e Austrisë, Marianne Graf është nderuar me çmimin e lartë Kardinal-König Preis për vitin 2014. Ky çmim  mban emrin e ish kardinalit dhe ipeshkvit të Vjenës, të vdekur para dhjetë vitesh. Asaj do t`i dorëzohet çmimi më 13 mars në ditën e vdekjes së Kardinalit Franz König në Vjenë.  

Marianne Graf është kryetare e shoqatës humanitare Albania-Austria Partneschaft. Së bashku me bashkëshortin e saj, Marianne e njohur tashme si “Engjëlli i Shqipërisë”, ndihmon Shqipërinë që nga viti 1992. Nga ajo kohë ajo ka ngritur në Shqipëri një rrjet mbresëlënës aktivitetesh sociale, thuhet në arsyetimin e dhënies së çmimit, në faqen e fondacionit ekumenik të ngritur nga kardinali König me emrin “Pro Oriente”.

Siç shkruan më tutje kleinezeitung.at. në fokus të punës së Graf janë veç tjerash arsimi, sigurimi shëndetësor, të drejtat e fëmijëve, ndërtimi i urave si dhe i krojeve publike në fshatrat malorë të Shqipërisë.