Futboll

‘Daily Mirror’: Klubi i madh nga Evropa kërkon Milot Rashicën

Milot Rashica është njëri prej futbollistëve më në formë në Bundesligën gjermane.

Mesfushori i talentuar nga Kosova ka marrë vëmendjen e medieve të mëdha botërore, pas paraqitjeve mbresëlënëse me Werder Bremenin që nga fillimi i këtij viti, shkruan Zëri.info, përcjell albinfo.ch.

Futbollisti i Kosovës ka arritur të shënojë gjithsej dhjetë gola këtë edicion, ndërkaq ka ndihmuar bashkëlojtarët edhe me tri asistime.

Para humbjes nga Dusseldorfi, Werder Bremeni u eliminua në Kupën e Gjermanisë nga Bayern Munich, në një ndeshje ku Rashica shënoi një gol dhe dhuroi një asistim.

Paraqitja fenomenale në këtë ndeshje ka zgjuar interesim të madh të klubeve të mëdha evropiane.

Mediumi britanik “Daily Mirror” shkruan se përveç Crystal Palaces, për 22-vjeçarin ka shprehur interesim edhe Bayern Munich.

Pas largimeve eventuale të Arjen Robben dhe Franck Ribery, ardhja e Rashicës do të ishte ideale për klubin bavarez.