Gjuha
Braktisin shkollën shqipe
Kantoni i Bernës: zvogëlimi i vazhdueshëm i aktiviteteve kulturore dhe arsimore nga fëmijët shqiptarë në Zvicër ka filluar të bëhet gjithnjë e më shumë problematik dhe shqetësues për të ardhmen e kulturës, traditave dhe gjuhës shqipe
Bashkëbiseduesit tanë që kontaktuam lidhur me këtë temë kanë paraqitur shqetësimet e tyre në këtë drejtim. Sipas tyre, pjesëmarrja e fëmijëve shqiptarë në aktivitete kulturore dhe arsimore ka pësuar një rënie të dukshme. Në pyetjen tonë se ku qëndron problemi, bashkëbiseduesit tanë hedhin fajin te prindërit, të cilët po tregohen tepër neglizhentë. Ndërsa, një pjesë të fajit në këtë rast duhet të mbartë edhe Lidhja e Arsimtarëve dhe e Prindërve Shqiptarë (LAPSH), vlerëson një tjetër bashkëbisedues yni.
„Fajtorë në ngecjen e këtij procesi pa dyshim janë prindërit shqiptarë, të cilët nuk angazhohen sa duhet që fëmijët e tyre ta mësojnë gjuhën amëtare. Ne nuk mund ta detyrojmë askend. Shkollat janë të hapura për të gjithë. Megjithatë, jo të gjithë i sjellin fëmijët në shkollat shqipe“, shprehet Veton Dizdari, koordinator për organizimin e arsimit plotësues në kuadër të LAPSH-it, përgjegjës për Kantonin e Bernës. Madje
Dizdari pranon se një pjesë të fajit në këtë rast duhet ta bartë edhe LAPSH-i sa i përket organizimit të punës.
Nga Veton Dizdari mësuam se në kuadër të LAPSH-it në Kantonin e Bernës janë aktive 11 paralele në 10 sholla të ndryshme. Në këto paralele në mënyrë të rregullt ndjekin mësimin plotësues të gjuhës shqipe 167 nxënës.
Prej 2500 familjeve, vetëm 4 nxënës ndjekin mësimin
„Sot në Zvicër mund të numërojmë një numër bukur të madh të shqiptarëve që jetojnë në këtë vend. Por, pas 100 vjetëve, kur gjenerata aktuale të zëvendësohet, nuk besoj ta ruajmë këtë shifër, do të jemi më të paktë, nëse nuk angazhohemi që fëmijëve tanë t’ua mësojmë kulturën, traditën dhe gjuhën shqipe“, vlerëson Ismet Neziri, përfaqësues për kulturë pranë shoqatës «Atdheu» në Thun.
Këtë vlerësim Neziri e bazon në, siç thotë ai, dështimin e organizimit të shkollave shqipe në Zvicër. “Gjithkund vërehet një zbehje dhe një interesim shumë i dobët nga organizatorët. Interesimi i prindërve vazhdon të mbetet edhe më tej faktor, por me sa duket, aktiviteti i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë është dobësuar tej mase, prandaj ne sot e kemi një situatë të këtillë“, thekson Ismet Neziri.
Ndër dobësitë e LAPSH-it Neziri ka numëruar edhe koordinimin e dobët të Lidhjes së Arsimtarëve me shkollat dhe arsimtarët si dhe mungesën e bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit në Kosovë.
Neziri na përkujton se në vitet e kaluara, gjegjësisht në vitin 2003 në rajonin e Berner Oberland-it kanë funksionuar disa grupe nxënësish të ndarë në disa shkolla, e që kanë pasur për qëllim të mësojnë shkrim-leximin e gjuhës shqipe, si dhe traditën tonë shqiptare. Ismeti kujton se në atë kohë janë regjistruar rreth 120 nxënës. Ndërsa sot në një shkollë të vetme ndjekin mësimin vetëm 4 nxënës.
Ai madje ka akuzuar këtë shoqatë se në mënyrë të padrejtë ka shitur dhe abetaret me një çmim mbi realen. „Nëse viziton një bibliotekë të vendin mund të blesh një libër të ngjashëm me 10 ose 15 franga, ndërsa unë kam paguar për një abetare 40 franga dhe këtë e shoh si një orvatje për të na plaçkitur“, shprehet Neziri.
Por, kështu nuk mendon Veton Dizdari, koordinator për organizimin e arsimit plotësues. Lidhur me këtë pohim të Nezirit, Dizdari thotë: „Me përgjegjësi të plotë deklaroj se librat e dhuruar nga Ambasada e Shqipërisë dhe e Kosovës janë shpërndarë gratis nga LAPSH-i. Unë nuk e përjashtoj mundësinë e ndonjë keqpërdorimi eventual, por për gjëra të këtilla ne jemi këtu. Nëse ka ndonjë keqpërdorim, prindërit duhet të drejtohen te ne dhe ne jemi këtu për t’i rregulluar këto gjëra“, shprehet në fund të bisedës Veton Dizdari.
Avdi Adili, prind i tre fëmijëve, është i mendimit që prindërit duhet t’i ndihmojnë fëmijët e tyre në kultivimin e vlerave kombëtare. Por ai gjithashtu potencon se fëmijët e tij dhe të gjithë të tjerëve janë shumë të ngarkuar me mësime nga shkolla dhe aktivitetet e tjera sportive dhe kjo ia pamundëson atij që fëmijët t’i dërgojë edhe në programet plotësuese për të mësuar gjuhën shqipe.
„Çdo prind duhet të kujdeset që fëmija i tij të mësojë gjuhën dhe traditën. Por, dua të shtoj gjithashtu se fëmijët tanë në Zvicër janë shumë të ngarkuar me obligime nga shkollat që ndjekin dhe aktivitetet sportive, andej me keqardhje potencoj se fëmijët e mi nuk kanë kohë për të ndjekur dhe shkollën shqipe“, thekson Avdi Adili nga Boltigeni (BE).
Të tre bashkëbiseduesit janë të mendimit se nëse nuk veprohet tani, ekziston mundësia që në një të ardhme të afërt fëmijët tanë të harrojnë vlerat e gjuhës dhe me këtë realitet të ri nuk do të kenë asnjë mundësi të ndalohet asimilimi. /i.a./
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë Municione snajperi nga kompania zvicerane P Defence thuhet se kanë mbërritur në Ukrainë në korrik 2023...
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha