Shëndetësi

Klinika e Neonatologjisë pajiset me respiratorë të rinj

Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Uran Ismaili dhe drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, kanë vizituar Klinikën e Neonatologjisë, ku kanë dorëzuar zyrtarisht tre respiratorë, të cilët do të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë gjatë trajtimit të foshnjave të porsalindura me probleme shëndetësore.
Respiratori është një pajisje që mbështet foshnjat, që kanë nevojë më të lartë të oksigjenit dhe presioneve, për shkak të infeksioneve të ndryshme apo anomalive të lindura, si dhe foshnjat e lindura para kohe.
Ministri  Ismaili tha se në mungesë të aparaturave mjekësore, në veçanti në Klinikën e Neonatologjisë, shpeshherë mjekët nuk kanë mundur t’u japin trajtimin e duhur shëndetësor foshnjave. Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci, ka folur për rëndësinë e këtyre paisjeve.
“Ardhja e pajisjeve të reja e lehtëson punën, sepse, shpesh, në mungesë të pajisjeve, më herët kemi pasur më të vështirë trajtimin e foshnjave me probleme shëndetësore. Tash, nuk kemi këso probleme dhe ardhja e aparaturës së re e rrit shumë cilësinë e shërbimeve”, deklaroi  Gojnovci.