Kosova

Aktori kosovar ka një ide për riintegrimin e fëmijëve që u kthyen nga Siria

110 kosovarë janë kthyer nga Siria në Kosovë gjatë javës së kaluar, shkruan albinfo.ch.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, konfirmoi se në mesin e të kthyerve janë katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë.

E për riintegrimin e këtyre të fundit ka menduar edhe aktori Fatmir Spahiu, i cili ndër të tjerash ka dhënë një ide që të organizohen e t’u lexojnë libra për personalitetet e shquara shqiptare.

“Nuk do të ishte keq t’u lexonim fëmijëve ndonjë vepër nga Kadare, Qosja, Podrimja, Kukaj etj. Do të ishte mirë që t’u flasim për Nanë Terezën e Mulla Idrizin. Për veprat e Anton Çetes e Adem Jasharit”, ka shkruar Spahiu.

Ai është shprehur i gatshëm të angazhohet në mënyrë vullnetare për realizimin e kësaj ideje, përcjell albinfo.ch.

“Si aktor vullnetarisht do t’ua falja ndonjë ditë këtyre fëmijëve. Në këtë mënyrë mendoj që fëmijët do ta kuptonin se i takojnë një populli me zemër të madhe dhe tolerant. E gjithë shoqëria do të duhej të angazhohej që kujtimet nga atje ata t’i kujtojnë vetëm si një ëndërr të keqe”, ka shkruar në fund Spahiu.

Ndërkaq, në zonat e konfliktit në Siri, sipas drejtorit të policisë, janë edhe tetë fëmijë, 49 gra dhe 30 luftëtarë nga Kosova.