Integrimi

Gjakmarrja shtrihet edhe në Suedi

Një djalë shqiptar i moshën 12 vjeçe është gjetur i plagosur rëndë në afërsi të një kishe në qytetin Boras të Suedisë. Plagosja e tij besohet se e ka lidhje me gjakmarrjen

Një djalë 12 vjeçar nga Shqipëria është plagosur rëndë në qytetin Boras të Suedisë, nga një person ende i panjohur për autoritetet e rendit. I mituri është qëlluar tri herë me armë zjarri dhe një herë me thikë, duke e lënë të shtrirë në afërsi të një kishe të këtij qyteti.

Siç raportojnë mediet shqiptare, i plagosuri është djali i të dënuarit Admir Tafili. Ky i fundit muajin e kaluar bashkë me gjashtë persona të tjerë u arratis nga burgu i Drenovës në Shqipëri.

Ky rast besohet se ka lidhje me gjakmarrjen e cila tashmë është shtritë në gjithë botën ku jetojnë shqiptarët. Pa përmendur emrin e të plagosurit, mediat shkruajnë se gjithçka ka ndodhur shkak të konflikteve të vjetra të familjes së djaloshit nga vendi i origjinës, Shkodra.

12-vjeçari është gjetur i plagosur në afërsi të një kishe dhe kishte në trup tre plagë të shkaktuara me armë zjarri dhe një tjetër plagë në qafë të shkaktuar nga goditja me thikë, shkruan BW.

Mediat suedeze bëjnë dhe një historik të një konflikti që kanë pasur babai i 12-vjeçarit dhe i vëllai tij, gjë sipas tyre ka çuar edhe në këtë ngjarje me motiv hakmarrjen. Sipas të njëjtave media, 15 vite më parë i 12-vjeçarit i është vrarë gjyshi.

Më pas babai dhe xhaxhai i tij kanë vrarë dy vëllezër të tjerë për hakmarrje dhe tashmë ndodhen në burg. Madje, mediat potencojnë se babai i 12 vjeçarit të plagosur ka qenë një nga 7 personat e arratisur nga burgu i Drenovës, vetëm pak kohë më parë, por që më pas u arrestua nga policia.

Ndryshe, Admir Tafili është njëri nga emrat më të njohur në Shqipëri, për shkak të krimeve që kishte bërë, por edhe arratisjeve nga burgu.

Ai fillimisht kishte ikur nga një burg i Zvicrës, pasi që ishte dënuar për shitje droge, ndërsa pas kthimit në vendlindje ishte përplasur me forcat e sigurisë, ku edhe kishte vrarë drejtorin e Policisë së Shkodrës.

Ndërsa gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, kishte mbetur i vdekur babai i Tafilit, për të cilin ai akuzoi shefin e krimeve të rënda, Prelë Pjetrushin. Për këtë shkëmbin zjarri dhe vrasjen e komandantit të Policisë, dy vëllezërit Tafili, Genci dhe Admiri u dënuan me nga 20 vjet burg.

Por, dy vëllezërit në vitin 2001 përfituan nga lirimi me kusht, vetëm për tetë orë, për ta vizituar nënën e tyre. Dhe siç thuhet ishte e mjaftueshme që Admir Tafili ta organizojë vrasjen e dy vëllezërve Gjovalin dhe Nikë Pjetrushin, vëllezërit e komandantit të krimeve të rënda. 

Më pas dy vëllezërit Tafili u kthyen në qeli, ndërsa Admiri u dënuan me burgim të përjetshëm.

Mirëpo disa vjet ë parë, persona të panjohur ia vunë zjarrin shtëpisë së Admir Tafilit në Shkodër. Madje mediet në Tiranë raportuan se shtëpisë së tij iu vu material eksplozivi “tritol”. Për këtë ngjarje Admir Tafili nga burgu i Drenovës akuzoi pjesëtarët e familjes Pjetrushi.

Familja e 12-vjeçarit që u plagos në Suedi, tri vjet më parë ka kërkuar Azil për arsye sigurie në këtë shtet. Pikërisht për këtë fakt policia suedeze nuk ka dhënë asnjë të dhënë mbi ngjarjen apo emrin dhe shëndetin e të miturit.

Ndërkohë mësohet se policia është vënë në kërkim të autorit, të cilit i është bërë një portret, që rezulton të jetë një rreth 25 vjeç, 180 cm i gjatë, me flokë të shkurtër dhe mjekër.

Gjakmarrja vazhdon të mbetet pika më e dobët e Shqipërisë demokratike, duke marrë përditë jetëra  njerëzish dhe duke mbyllur (ngujuar) mijëra të tjerë.

 Që nga periudha e revolucionit demokratik (1990) në Shqipëri, janë kryer 5200 vrasje, ndërsa numri i viktimave që kanë humbur jetën të ekzekutuar për gjakmarrje klon shifrat 5700, ose 259 qytetarë për çdo vit.

Ndërkohë më shumë se 1200 persona rezultojnë të ngujuar, prej të cilëve 130 janë fëmijë si rezultat i frikës nga marrja e gjakut