Integrimi
Maturantët kremtojnë bashkërisht pas 22 vitesh
Maturantët e gjeneratës së vitit 1991 në pamundësi që të kremtonin mbrëmjen e maturës bashkërisht, ata u takuan dhe bashkëfestuan pas plot 22 vitesh
Maturantët e gjeneratës së vitit 1991 të gjimnazit “Ismail Qemali” në Kamenicë, në pamundësi që dikur të festonin mbrëmjen e maturës bashkërisht, ata patën festuar ndaras dhe në mënyrë të zymtë nëpër shtëpi private.
Këtë zbrazëti ish-maturanti Nusret Kqiku me banim dhe punë në Kantonin e Cyrihut arriti ta plotësojë pas 22 vitesh, falë vullnetit të vet dhe ndihmës së rrjetit social, duke ribashkuar edhe një herë shumicën e ish maturantëve për të festuar në një ambient të përbashkët dhe pa drojën e regjimit okupator serb.
Këto pra janë frytet e lirisë dhe pavarësisë së shtetit të Kosovës. Nga kjo mbrëmje e 26 dhjetorit 2013 lindi edhe ideja që disa biznesmenë të suksesshëm në Zvicër ta themelojnë një Fondacion për të ndihmuar studentët e Universitetit të Kosovës.
“Ideja më ka lindur në vitin 2011 por nuk arrita ta realizoj dëshirën time për organizimin e takimit të gjeneratës me rastin e 20-vjetorit. Një ide të ngjashme mbase mund ta ketë pasur edhe dikush tjetër, por ky realizim kërkon angazhim dhe jo secili mund ta përthekojë një organizim të tillë. Shkaku tjetër i organizimit me siguri lidhet edhe me nostalgjinë për takimin me shokët e shoqet e gjeneratës, sidomos për një grup që jeton dhe punon në mërgatë“, shprehet organizatori i mbrëmjes Nusret Kqiku.
Tashmë kur është lehtësuar komunikimi përmes rrjetit social „Facebook“, realizimi i kësaj ngjarjeje për Nusretin ishte më afër realitetit. Për këtë, Nusreti kishte hapur një link për takimin e gjeneratës 1987-1991 dhe rezultati ishte evident. Më pastaj ai kishte angazhuar edhe disa shokë që ky informacion të depërtojë edhe tek ata që, për një arsye a tjetër, nuk kanë qasje në rrjetin social, dhe kështu në këtë mbrëmje kishin ardhur rreth 130 persona.
“Për të qenë korrekt me vetveten dhe të tjerët unë kërkoj falje nga të gjithë ata që nuk kanë pasur informacion për organizimin e kësaj mbrëmjeje të kremtimit të 22-vjetorit të gjeneratës”, shpreh keqardhjen e tij Nusret Kqiku.
Ishte për t`u veçuar prania e disa ish-profesorëve, me të cilët ish-nxënësit ndanë kënaqësinë, duke evokuar situata nga vitet e 90-ta, vite ato kur Kosova dhe arsimi i shqiptarëve të Kosovës ishte i trazuar dhe po ballafaqohej me një sfidë gogja të vështirë.
Ato vite, për një protestë të vogël pakënaqësie nxënësit ndaheshin nga grupi, merreshin në biseda informative, burgoseshin e torturoheshin fizikisht e psikikisht. Pra ishte gjeneratë e thyerjeve të rendit botëror dhe si pasojë nxënësit e asaj gjenerate, dhe jo vetëm të asaj, u shpërndanë gjithandej botës, si në Evropë, Amerikë, Australi e gjetkë.
„Takimi i gjeneratës është një plotësim shpirtëror, ngase është një ndjenjë e veçantë të kontaktosh dikë me të cilin dikur e ke ndarë dhomën e banimit ose klasën për katër vjet radhazi, dikë që e ke ndarë udhëtimin me autobus për katër vjet; që ke ndarë çaste të mira dhe jo të mira. Ky takim besoj që është akumulim i një energjie të re për jetë të mëtejme. Fundja po rinjihemi sërish, sepse shumë prej nesh tani mezi e kemi njohur njëri-tjetrin. Ajo që më bën të krenohem është avancimi intelektual e kulturor i ish-kolegëve. Disa prej tyre, sidomos në mërgatë, e kanë zënë mirë hapin saqë kanë themeluar edhe firma private, dhe për më tepër, në një periudhë të caktuar, i kanë ndihmuar familjet e tyre, atdheun e tyre etj“, thotë me krenari Nusreti.
Natyrisht, meritën për këtë organizim Nusreti nuk e nuk merr vetë, por ai e ndanë me bashkëvendasin e tij Musa Leci, i cili njëkohësisht është pronar i një organizate punuese në Zvicër, por edhe pronar i restorantit „ODA“ në Hodonoc të Kamenicës.
Në pyetjen se çfarë e karakterizon këtë takim nga takimet e rëndomta të gjeneratave që organizohen pothuajse çdo vit, Kqiku shprehet: „Ajo që e dallon këtë takim është, padyshim, nisma e vetë organizimit e cila buron nga mërgata dhe jo nga kolegët në Kosovë dhe ajo që e dallon këtë takim nga takimet tjera është se unë dhe Musa Leci kemi vendosur që në emër të kësaj gjenerate të themelohet një Fondacion për ndarjen e disa bursave për studentë të Universitetit të Kosovës. Pra këtë vit do të fillojmë me ndarjen e dy-tri bursave, por që do të përfitojnë ata studentë që vitin e parë e kanë përfunduar me notë mesatare mbi „Tetë“.
Tani për tani ky fondacion do të ndihmohet nga shtatë-tetë udhëheqës firmash në Zvicër dhe ata janë të gatshëm që të pjesëmarrin në ndarjen e bursave për 4 vjet të studimeve. Pra ata do të nënshkruajnë kontratat përkatëse dhe kështu obligohen që ata studentë të ndihmohen për katër vite të studimeve. Kjo është, sa trimëruese po aq edhe shpresëdhënëse për studentët e zgjuar dhe në nevojë.
PROFESOR, NE NDONJËHERË KEMI IKUR NGA ORA JUAJ E MËSIMIT, POR JU LUTEM, KËSAJ RADHE QË TË MOS NA IKNI JU NGA KY MANIFESTIM
Në këtë mbrëmje në mesin e kësaj gjenerate ishin edhe disa profesorë të dikurshëm. Bile, derisa Nusreti po merrej me ftesën e profesorëve, kujdestarit të klasës, Ekrem Jerliut i ishte drejtuar me shaka: „Profesor, ne ndonjëherë kemi ikur nga ora juaj e mësimit, por ju lutem, kësaj radhe që të mos na ikni Ju nga ky manifestim!“
Në mesin e ish-profesorëve ishin edhe Sulejman e Sabri Morina nga Hodonoci. Lidhur me këtë mbrëmje Profesori Sylë, siç e quanin nxënësit ishte ndier, sa i befasuar po aq edhe i lumtur.
„Me këtë rast e përgëzoj ish-nxënësin tim Nusret Kqikun për këtë organizim. Disi, ajo mbrëmje e maturës e vitit 1991 më ka mbetur gjithmonë një pikë në zemër. Ata maturantë ishin të detyruar të kremtonin ndaraz; ishte një mbrëmje e parealizuar“.
Me këtë rast organizatorit do t`ia dedikoja thënien: „ata që bëjnë vepra të mira mos të lavdërohen, por ata që i pranojnë ato le të jenë lavdëruesit“. Pra ne që po e përjetojmë këtë kënaqësi t`i lavdërojmë dhe t`i falënderojmë organizatorët e kësaj mbrëmjeje. Në këtë mbrëmje unë jam me ndjenja të përziera, sepse sonte u dha një kronologji e punës së gjimnazit në periudhën e mësimit të kësaj gjenerate nga profesori Sabri Morina që përshkoi një mori sfidash të kohës, pastaj u shfaq edhe një dokumentar filmik që ishte një begati e mbrëmjes.
Gjithsesi, secili nxënës i kësaj gjenerate e ka një dokumentar në vete, në shpirtin e vet, prandaj po të shpalosej kujtesa e këtyre nxënësve do të ishte një histori interesante përjetimesh. Pra ky takim, sa ishte interesant për ne, po aq ishte me rëndësi dhe interesant për vetë ish-nxënësit e kësaj gjenerate, për më tepër për vetë faktin se kjo peridhë 22-vjeçare ka sjellë ndryshime të mëdha në jetën e tyre.
Shumë prej tyre tashmë kishin harruar pamjen e njëri-tjetrit, kështu që në këtë mbrëmje ata, thjesht, u rinjohën; këtu ata, disi, vazhduan ish rrugëtimin e tyre të ndarë para mbi dy dekash.
Ky takim, mund të them e ka veçantinë e vet, sepse kjo ishte gjenerata e parë që atëbotë e kishte pritur mbrëmjen e maturës në shtëpi private, ndaras, në një atmosferë të zymtë, dhe atë ndarje të atëhershme sikur arritën ta plotësonin sonte. Pra, disa paralele në një sallë të përbashkët. Kjo është edhe e bukura e kësaj mbrëmjeje, do të thosha unë.
Ajo që vërejta unë në këtë mbrëmje ishte edhe përpjekja e tyre që ta rikujtonin atë kohë, duke u sjellë mes veti sikur të ishin maturantë. Pra, edhe unë përfitova përshtypjen sikur të ishte pikërisht kjo ajo mbrëmje e dikurshme e maturës.
Kështu, unë i përshëndes të gjithë të pranishmit, dhe ata që nuk ishin në këtë mbrëmje, duke u dëshiruar të gjithëve sukses në jetë dhe duke i falënderuar sidomos këta individë të kësaj gjenerate që jetojnë në mërgatë për mundësinë e këtij organizimi shumë të qëlluar dhe të nevojshëm për gjeneratën e gjimnazistëve të viteve 1987-1991.
Xhevdet Kallaba
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës