Integrimi

“Klasa të veçanta” për fëmijët e sapoardhur emigrantë

Që fëmijët të mos futen direkt në mësim pa pasur njohuri të gjermanishtes, shkollat në Gjermani organizojnë kurse paraprake, intensive

Për shkak të krizës financiare shumë familje nga Evropa Juglindore dhe Jugore emigrojnë në Gjermani. Që fëmijët të integrohen sa më shpejt në shoqërinë e re, shkollat gjermane kanë organizuar të ashtuquajturat “klasa intensive”.

Ka vite që numri i nxënësve, të cilët vijnë nga familje emigrantësh, po rritet gjithnjë e më shumë. Veçanërisht pas shpërthimit të krizës së euros është rritur dukshëm numri i familjeve që kanë ardhur në Gjermani, transmeton DW. Nëse krahason numrin e migrantëve të ardhur gjatë pesë muajve të parë të këtij viti me të njëjtën periudhë të vitit 2012, vëren se numri i migrantëve është rritur sivjet për 9.2 %. Kryesisht vendet nga kanë emigruar më shumë njerëz për në Gjermani janë Italia, Portugalia dhe Spanja, të cilët kanë shënuar rritje deri në rreth 40 për qind.

Ndërsa rekordin më të lartë e mban emigracioni nga Bullgaria, Polonia dhe Rumania. Në mënyrë që fëmijët të mos futen direkt në mësim pa pasur njohuri të gjermanishtes, të gjitha shkollat në Gjermani organizojnë kurse paraprake, të ashtuquajtura kurse intensive, provizore, apo kurse parapërgatitore.

Në shkollën e quajtur “Sophia” në Frankfurt ofrohen dy lloj kursesh intensive. Njëri kurs është për ata nxënës, të cilët nuk dinë asnjë fjalë gjermanisht. Dhe sapo ato e përvetësojnë pak a shumë gjuhën, kalojnë direkt në kursin tjetër, i cili është i një niveli më të lartë.

Në këto kurse intensive gjithçka është më ndryshe. Këtu ka nxënës të moshave dhe nacionaliteteve të ndryshme dhe jo vetëm kaq, klasa ndryshon vazhdimisht gjatë vitit, sepse vazhdimisht vijnë nxënës të rinj dhe largohen të vjetrit.

Pas një viti nxënësit do të duhej të kalonin në klasa të rregullta, sepse vetëm në këtë mënyrë mundësohet që nxënësit e rinj të inkuadrohen në procesin mësimor. Kapaciteti i parashikuar për këto klasa është maksimumi 15 nxënës. Këtu duhet pasur parasysh se njohuritë gjuhësore të nxënësve janë të ndryshme dhe se ata kanë gjuhë të ndryshme amtare.