Kinema

Publikohen pamje të filmit “Avengers”, kërkohet ndalimi i tyre

Regjisorët e filmit “Avengers: Endgame” i kanë lutur fansat e filmave me superheronj që të mos ua prishin befasinë të tjerëve, duke ndarë sekrete të historisë së filmit të fundit, i cili pritet të lansohet shumë shpejt nëpër kinema.

Kjo, pasi të martën u raportua se disa skena të këtij vazhdimi të 22-të në serinë e filmave të studios “Marvel”, kanë rrjedhur online.

Përmes një letre të hapur të publikuar në Twitter nën hashtagun #DontSpoilTheEndgame, Joe dhe Anthony Russo thanë se ata dhe ekipi i aktorëve të filmit “kanë punuar shumë në tre vjetët e fundit rreth këtij projekti, me qëllimin e vetëm për t’iu ofruar fansave një emocion të veçantë befasues dhe emocional, me përfundimin e serisë së filmave “Avengers”.

Disa adhurues thanë të martës se i kanë parë disa sekuenca të shkurta në uebfaqen Reddit, në kanalin YouTube dhe në disa platforma të tjera online, por këto pamje ishin larguar menjëherë.