Kosova

QKUK synon t’i trajtojë rastet e infarkteve akute brenda dy orësh

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka prezantuar programin nacional, i cili parasheh që në rast të infarkteve akute në krejt Kosovën të bëhet reagimi dhe raportimi i shpejtë i rasteve, dhe pacienti të arrijë shpejt në QKUK.

 Përmes këtij projekti do të mundësohet që dukshëm të rritet koha e reagimit tek rastet e infarkteve akute në nivel të krejt Kosovës dhe të bëhet raportimi i menjëhershëm i rasteve nga të gjitha qendrat e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, deklaroi se përmes këtij projekti do të bëhet e mundur që për 2 orë që nga simptomat e para, pacienti të marrë shërbimin, e gjithë kjo kohë llogaritet si ‘kohë e artë’ për reagim dhe shpëtim të jetës së pacientit.

Ministri me këtë rast tha se ky projekt po tregon se disa hallka të shëndetësisë po forcohen.

Kurse drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, tha se ky është projekti më i rëndësishëm në shëndetësi nga paslufta. Rreth 3 mijë persona, apo 35% e të gjitha vdekjeve brenda vitit në Kosovë, shkaktohen nga sëmundjet e zemrës. Për çdo vonesë prej 30 minutash pas infarktit, rreziku i vdekshmërisë rritet për 7.5%.