Zhvillim
Zvicerani që gjeti rehatinë në Kosovë
Zvicerani Wormser, me ndihmën e dy shokëve të tij, ka ndërtuar hotelin “Graçanica” afër Prishtinës. Ky objekt modern bartë me vete diçka të veçantë, bashkon tri komunitetet, serbët, shqiptarët dhe romët
Nuk është vetëm Zvicra, ajo që mbetet ëndërr e shumë kosovarëve për të shkuar dhe jetuar atje, por ndonjëherë ndodhë edhe e kundërta, që Kosova t’ia plotësojë ëndrrën një qytetari zviceran. Është Andreas Wormser, i cili po lë gjurmë me një investim të veçantë në Kosovë.
Ai nuk ka bërë ndonjë zbulim të veçantë, që nuk kanë pasur ide më herët kosovarët, por ka ndërtuar diçka që pretendon t’i bashkojë komunitetet, që ishin ndarë në luftën e fundit të vitit 1998-1999.
Zvicerani Wormser, i cili ka jetuar dhe punuar në Kosovë gjatë periudhës 1999-2004, me ndihmën e dy shokëve të tij, njëri shqiptar dhe tjetri serb, kanë ndërtuar hotel “Graçanica” në Graçanicë afër Prishtinës. Ky është objekt modern, ndërsa veçantia e tij është se në këtë hotel, që ka edhe pishinë, punojnë, serbë, shqiptarë dhe romë.
Hoteli është projekt i tre miqve, Andreas Wormser, Atlan Gidzic dhe Hisen Gashnjani. Është dashur dy vite që gjenin një pronë të përshtatshme për ndërtimin e hotelit. Ndërsa më të veçantë këtë objekt e bëjnë ekspozitat, koncertet, promovimet e librave dhe shumë gjëra të tjera kulturore që zhvillohen në këtë objekt.
Andreas Wormser, pronari dhe menaxheri i hotel “Graçanica” kishte bërë shokë të shumtë nga Kosova dhe i pëlqente vendi, kështu ai planifikonte të bënte diçka në Kosovë dhe në vitin 2008 filloi
projektin për hotelin.
“Për shumë kohë kërkuam dhe më në fund e gjetëm këtë vend, i cili mendoj se është perfekt. Është afër Prishtinës, ka një pamje të mrekullueshme, nuk ka ndërtime, dhe nuk do të kenë edhe për një kohë në të ardhmen sepse për ballë është Ulpiana, lumi, gjithçka është e mbrojtur me ligj”, i ka thënë “Zërit” Wormser.
Përmes hapjes së këtij hoteli ai i ka vënë një qellim vetes, që të sjell sa më shumë vizitorë nga Evropa Perëndimore.
Siç ka thënë Wormser shumë turistë janë të interesuar për të parë Kosovën, mirëpo ata frikësohen dhe nëse vijën nuk dinë ku të shkojnë, dhe sipas tij hotel “Graçanica” është mundësi e mirë për të zbuluar Kosovën.
“Ajo çfarë është e rëndësishme për mua është se hoteli kontribuon që të sjell njerëz që paragjykojnë rreth Kosovës, që thonë se është një shtet i rrezikshëm, që të shohin anë të ndryshme të Kosovës dhe mendoj një gjë tjetër e rëndësishme është se dëshiroj që ky hotel të jetë multietnik, gjithashtu të japë një kontribut të vogël që nacionalitetet në Kosovë të shoqërohen bashkë”, ka thënë ai.
Që nga maji vitit 2013, hoteli ka hapur dyert për mysafirë. Në hotel janë të punësuar njëmbëdhjetë punëtorë, të etnive të ndryshme, duke filluar nga pronari që është zviceran, pastaj ka shqiptarë, romë e serbë.
“Shumë shqiptarë vijnë këtu, ata vijnë në Graçanicë dhe anasjelltas. Unë kam shumë shokë që kanë marrëdhënie të mirë ndëretnike. Mendoj se e kemi arritur qëllimin që t’i bëjmë bashkë nacionalitetet”, është shprehur Andreas Wormser.
Hisen Gashnjani ka thënë se hoteli vizitohet nga ndërkombëtarët, shqiptarët, romët dhe serbët, duke treguar se nuk ka asnjë lloj ndarje nacionale.
“Ideja jonë dhe qëllimi është që të gjithë të bashkohen, të gjitha komunitetet në një vend. Kosova shtet, dhe duhet të jetojmë të gjithë bashkë dhe t’i shikojmë interesat e Kosovës, e jo t’i ndajmë”, ka
treguar Gashnjani.
“Kemi pasur një ekspozitë të një djali të talentuar të komunitetit rom. Pastaj ka qenë ekspozita e Driton Selmanit, koncerti i duos Catch-Pop String Strong, Rina Kaçinari dhe violinistes Jelena Poprzan”, ka treguar zëvendësmenaxheri i “Graçanica”, derisa ka thënë se shumë i zhvillojnë takimet e tyre në këtë hotel.
Ajri i pastër, trafiku jo i dendur, të qenit afër Prishtinës e pamja e bukur e Ulpianës së vjetër, janë disa nga përparësitë e këtij hoteli.
Ndryshe, në këtë hotel, recepsionisti është shqiptarë, kuzhinierja është serbe, ndërsa kamerierët janë të përzier, shqiptarë, romë e serbë.
Visar Osmani tash e tetë muaj punon recepsionist gjatë natës në hotel “Graçanica”. Ai ka thënë se është i kënaqur me vendin e punës, me personelin, dhe me pronarin e hotelit. Edhe kuzhinierja Slaxhana Nikoliq, e cila në specialitet ka kryesisht ushqimet që i preferojnë zviceranët, është e kënaqur me vendin e punës.
“Një lloj motivimi që e kam për të punuar këtu, është sepse këtu është rehati, qetësi dhe ka kulturë”, ka thënë ajo. Nikoliq ka treguar se kolektivi kanë bashkëpunim dhe se kalojnë mirë bashkë.
Ndryshe, në këtë hotel, një javë më parë është promovuar romani i shkrimtares zvicerane, Elisabeth Kaesteli “Shtatë vëllezër, shtatë motra – një familje kosovare nëpër botë”.
E-Diaspora
-
Vlerësim i lartë për kompaninë „Halili + Partner“ të inxhinierit Besnik Halili Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Rexhep Demiri ka vizituar dhe vlerësuar lartë...
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
Jeta në Zvicër
-
Bora krijon kaos në Bernë, pezullohet pjesërisht qarkullimi i autobusëve Reshjet e dendura të borës mëngjesin e së hënës shkaktuan kaos në rrugët e kryeqytetit zviceran....
-
Rritja e taksave turistike e planifikuar për Crans-Montana nxit zemërimin e pronarëve
-
Policia ndalon trafikun në tunelin Gotthard për shkak të borës
-
Bora pengon qarkullimin rrugor në Alpe
-
Çmimet e ndërtimit janë ende në rritje, por jo në Ticino