Zhvillim

Caritasi i Zvicrës nxit afaristët e diasporës të investojnë në Kosovë

Është hera e parë që Caritasi i Zvicrës organizon një takim të këtillë me synim vazhdimin e takimeve për ta lidhur potencialin e bizneseve të diasporës me vendin e prejardhjes të biznesmenëve

Përfaqësia e Caritasit të Zvicrës në Kosovë me mbështetjen e Ambasadës së Kosovës në Bernë ka mbledhur bashkë të martën në një takim disa nga bizneset e këtushme shqiptare.

Përveç që janë njoftuar me punën e deritashme të Caritasit në Kosovë, përfaqësues të bizneseve kanë treguar për arsyet se pse do të donin të investonin në vendin e tyre. Po ashtu, ata janë shprehur edhe lidhur me shkaqet pse janë dekurajuar që të mos e sjellin deri tani kapitalin e tyre në Kosovë.

Është hera e parë që Caritasi i Zvicrës organizon një takim të këtillë me synim vazhdimin e takimeve për ta lidhur potencialin e bizneseve të diasporës me vendin e prejardhjes të biznesmenëve.

“Ky takim me bizneset e diasporës ka qenë mjaft produktiv ngase kemi bashkëbiseduar për të gjitha mundësitë e investimeve madje disa prej tyre erdhën edhe me projekte konkrete, për të cilat kërkonin të shqyrtohen nga Caritasi i Zvicrës”, deklaron për albinfo.ch nënkryetari i Caritasit në Kosovë, Kreshnik Basha.

Basha ka sjellë përvojat nga vendet tjera të Ballkanit të cilat, pas liberalizimit të vizave, kanë humbur numrin e popullatës së re, e cila ka emigruar për të kërkuar mundësi të reja.

“Kjo paraqet problem edhe për Kosovën ngase me ikjen e të rinjve po na ik edhe truri i vendit, i cili mund të japë kontribut për vendin”, tha Basha duke premtuar që Caritasi mund të luaj në të ardhmen rolin e fasilitatorit ndërmjet bizneseve të diasporës dhe institucioneve të Kosovës.

Nga ana tjetër ambasadorja kosovare, Nazane Breca, e shoqëruar nga ministrat këshilltarë Mustafë Xhemaili dhe Islam Spahiu, ka shprehur gatishmërinë që të mobilizojë biznesmenë dhe profesionistë nga Kosova që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër për të shfrytëzuar njohuritë dhe përvojat e tyre.

Përfaqësuesit e bizneseve treguan interesin e tyre për projekte të ndryshme që mund të realizohen në Kosovë. Po ashtu ishin të interesuar të mësojnë për sektorët që kanë më së shumti nevojë për investime.

Caritasi Zviceran është organizatë që vepron për 20 vite në Kosovë. Ai analizon nevojat e njerëzve dhe komuniteteve kosovare dhe në përputhje me këto nevoja promovon lëvizje, iniciativa, duke zhvilluar programe dhe projekte për të përmirësuar cilësinë e jetës, për zhvillimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke përfshirë ndërtimin e paqes, arsimin dhe kujdesin ndaj njerëzve në nevojë dhe të atyre të margjinalizuar.