Tematike

Zvicra numëron 8 milionë e 542 mijë banorë

Në Gjermani gjatë vitit të kaluar ka pasur rritje më të vogël të popullatës në shifra absolute se sa në Zvicër! Ndërkohë dihet që Gjermania është 10 herë më e madhe (me popullsi) në krahasim me Zvicrën

Zvicra, në fund të vitit 2018 numëronte 8 milionë e 542.000 banorë, ose 58.200 më shumë se një vit më parë. Me këtë ritëm, Zvicra zë njërin ndër vendet e para në Evropë sa i përket rritjes së popullsisë.

Por, edhe kjo rritje është megjithatë dukshëm më e ulët se në vitet paraprake. Sipas një zyrtareje të Zyrës Federale për Statistikë (BFS), “mbi bazë të imigrimit, popullata është rritur fare pak, 0.4% ndërkohë që emigrimi ka qenë 0.9%”, shkruan srf.ch.

Po ashtu për rritje të ngadalshme të popullatës ka ndikuar ulja e “suficitit” të lindjeve në krahasim me vdekjet. Këtu pastaj vjen edhe fakti se popullsia zvicerane po bëhet gjithnjë më e moshuar, transmeton albinfo.ch. Numri i pensionistëve tashmë është pothuajse i njëjtë me atë të personave nën moshën 19 vjeçare. Ndërkaq, pas tri viteve do të ketë më tepër të pensionuar se të rinj. Secili brez i fëmijëve është më i vogël në numër se sa brezi i prindërve të tyre dhe kjo sjell mplakjen e popullatës.

Gjatë 20 viteve të fundit Zvicra është shtuar me 1.4 milion banorë të rinj. Veçanërisht gjatë 10 viteve të fundit ka pasur një shtim të madh të poipullatës, përcjell albinfo.ch. Kështu, edhe pse në dy vitet e fundit ky temp i rritjes është ngadalësuar dukshëm, Zvicra është megjithatë njëri ndër vendet me rritje më të madhe të popullatës në Evropë.

Përveç shteteve të vogla si Luksemburgu dhe Islanda, vetëm edhe Irlanda e Suedia kanë rritje më të madhe të popullatës në krahasim me Zvicrën, përcjell albinfo.ch. Për krahasim: Në Gjermani gjatë vitit të kaluar ka pasur rritje më të vogël të popullatës në shifra absolute se sa në Zvicër! Ndërkohë dihet që Gjermania është 10 herë më e madhe (me popullsi) në krahasim me Zvicrën.

Në BFS parashohin se numri i banorëve të Zvicrës do të vazhdojë të rritet dhe madje më shumë se tash. Trendi i rritjes më të theksuar mund të fillojë jo më larg se në vitin e ardhshëm. Kjo për faktin se gjendja ekonomike në vendet fqinje në muajt e fundit është përkeqësuar dukshëm, thonüë në BFS, transmeton albinfo.ch. “Sipas një skenari aktual, shifra prej 10 milionë banorëve do të arrihet në vitiun 2039.

Sigurisht, kjo është vetëm një prognozë. Ka skenarë që parashikojnë shifra më të mëdha ashtu si dhe të tilla me shifra më të vogla.