Bota

Londër, veturat e vjetra duhet të paguajnë për të hyrë në qendër

Në Londër ka nisur zbatimi i pagesës për ndotjen e ajrit. Drejtuesit e veturave të vjetra dhe atyre që krijojnë më shumë ndotje do t’u duhet të paguajnë për të hyrë në qendër të qytetit.

Përmes një lëvizjeje të tillë, krerët e sistemit të Transportit në kryeqytetin britanik shpresojnë të reduktohet numri i automjeteve që ndotin më shumë ajrin e Londrës, nisur nga fakti që kjo pagesë do të prekë rreth 40 mijë makina, transmeton tch.

Drejtuesve të automjeteve të vjetra do t’iu duhet të paguajnë tani një taksë prej gati 15 eurosh për të hyrë në qendër.

“Është e rëndësishme të avancojmë në betejën tonë kundër ajrit toksik në Londër. Prej këtij ajri, me mijëra banorë të saj po vdesin më shpejt çdo vit”, tha Sadiq Khan, kryebashkiak i Londrës.

Ata që nuk e paguajnë shumën e kërkuar, do të marrin një gjobë edhe më të rëndë, megjithatë shkelja e parë do të kalohet vetëm me një letër paralajmërimi, shkruan Koha.net, përcjell albinfo.ch.

Reagimet e njerëzve kanë qenë përgjithësisht pozitive.

“Reduktimi i trafikut nënkupton ajër të pastër. Kam një djalë 11 vjeç me astma dhe e di mirë se ndotja e ajrit e përkeqëson gjendjen e tij”, tha një banore.

E ashtuquajtura zonë e emetimit të ulët pritet të zgjerohet deri në vitin 2021, edhe në pjesët veriore dhe atë jugore të qytetit, ajri i ndotur i të cilit – sipas kryebashkiakut Khan – përbën urgjencë për shëndetin publik.

Nga sa tregojnë përllogaritjet, kjo skemë fillestare do të duhet ta reduktojë ndotjen e ajrit me 45 për qind brenda dy vjetësh.