Opinione

Ballkani, përgjithmonë në “dhomën e pritjes” për anëtarësim në BE

Më herët gjatë kësaj jave, komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, iu drejtua Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian lidhur me të ardhmen dhe politikat e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Fjalimi i komisionarit Hahn për fushëveprimtarinë e tij bëhet në fund të mandatit si dhe në mbledhjen e fundit të Komitetit, i cili e përkrah zgjerimin e bllokut evropian.

Ky aktivitet mund të ishte një sinjal i dobishëm për të kuptuar se ku qëndrojnë me kërkesat e tyre për anëtarësim vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe vendet tjera aspiruese siç janë Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina.

Duke pasur parasysh se janë vendet anëtare të BE-së ato që në fund vendosin për politikën e jashtme dhe zakonisht janë mjaft konservative në dhënien e ndonjë deklarate pozitive për nevojën e zgjerimit të bllokut, fjalimi i një komisionari në Parlamentin Evropian, është vendi i përkryer për të dëgjuar një vlerësim paraprak për këtë çështje.

Por, fatkeqësisht kjo ishte një ngjarje së cilës i mungonte vizioni dhe inkurajimi, veçanërisht për fqinjët lindorë.

Në 17 minutat e prezantimit nga ana e Hahnit dhe në pjesën tjetër të pyetjeve nga ana e ligjvënësve evropianë, ai përmendi vetëm një herë Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën, lidhur me ndikimin pozitiv të marrëveshjes së asociimit, të cilën të tria vendet e kanë arritur me BE-në.

Sa i përket Bjellorusisë, ai shfaqi shpresën se vendet anëtare të BE-së së shpejti do të mund të bien dakord mbi prioritetet e partneritetit, të cilat, sipas tij, do të mundësonin një përafrim të raporteve me këtë vend. Armenia dhe Azerbajxhani nuk u përmendën asnjëherë nga ana e komisionarit Hahn.

Thënë të drejtën, fqinjëve jugorë, përfshirë edhe vendeve në jug të Mesdheut, po ashtu nuk iu kushtua shumë kohë.

Ballkani Perëndimor zuri vendin më të madh në ndërhyrjet e komisionarit Hahn.

Proverbat e vjetër se “nëse po eksportojmë stabilitet apo po importojmë jostabilitet” si dhe tjetra “ ne mund të pranojmë një vend vetëm nëse i ka zgjidhur të gjitha çështjet me fqinjët”, u thanë prapë disa herë në versione të ndryshme. Këto aksioma janë padyshim të zbatueshme edhe për vendet e fqinjësisë jugore.

Duke pasur parasysh se sa të vështira janë disa nga këto konflikte dhe çështje në Ballkan dhe disa vende post-sovjetike, nuk mund të imagjinohet se kur në fakt BE-ja do të zgjerohet prapë.

Prandaj, ishte e parashikueshme që komisionari Hahn vështirë se do të përmendë ndonjë datë tjetër, përveç faktit se negociatat e pranimit në BE do të fillojnë me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë gjatë këtij viti. Kjo pasi Shkupi, veçanërisht, tashmë është “fëmija i ri në reklamat” e politikës së zgjerimit pas ndryshimit të emrin në bazë të Marrëveshjes me Greqinë.

Edhe nëse të dyja vendet arrijnë të hapin bisedimet me Brukselin këtë vit, i pret një maratonë e gjatë. Vetëm shikojeni Malin e Zi, vend ky i cili filloi bisedimet e pranimit në BE në vitin 2012 dhe mund të konsiderohet si favorit ndër vendet kandidate aktuale, deri më tani ka përfunduar punën vetëm në tre nga 33 kapitujt e nevojshëm për anëtarësim.

Duke folur për bllokimin e fundit sa i përket bisedimeve për normalizimin e raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, komisionari Hahn tha se megjithatë është një lloj përparimi fakti se të dy presidentët (Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq) mund të ngrenë telefonin dhe të thërrasin njëri-tjetrin për të qetësuar situatën kur gjërat fillojnë të dalin nga dora.

Me fjalë të tjera, nuk janë vënë standarde më të larta vitet e fundit për këtë çështje. Por, as nuk mund të rriten shumë gjatë ciklit të ardhshëm pesëvjeçar.

Ndoshta më së shumti për këtë flet fakti se komisionari Hahn vendosi të mos përgjigjet në pyetjen e një eurodeputeti rreth thashethemeve të fundit në Bruksel se në institucionet e ardhshme të BE-së nuk do të ketë portofol për zgjerim./rel/