Kosova

Kërkohet shkarkimi i ministrit që ofendoi ambasadorin zviceran

"Shkarkimi i ministrit Pal Lekaj është i mjaftueshëm si kërkimfalje ndaj një vendi mik si Zvicra"

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se është i paprecedent rasti që një ministër i Qeverisë së Kosovës kërkon largimin e një ambasadori.

Hoti në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se me paratë që Zvicra shpenzon në Kosovë, përfshihen taksat e 200 mijë qytetarëve të Kosovës që jetojnë atje, përcjell albinfo.ch.

Sipas tij, shkarkimi i ministrit Pal Lekaj është i mjaftueshëm si kërkimfalje ndaj një vendi mik si Zvicra.

“Është i paprecedent rasti që një ministër i Qeverisë së Kosovës kërkon largimin e një ambasadori. Dhe, atë të Zvicrës, ku janë mbi 200 mijë qytetarë të Kosovës. Në paratë që Zvicra shpenzon në Kosovë, përfshihen edhe taksat e këtyre 200 mijë qytetarëve të Kosovës që i paguajnë në Zvicër. Prandaj, është më se legjitime të kërkohet llogari dhe shpenzim adekuat nga ana e Ambasadorit.

Vetëm shkarkimi i këtij ministri mund të jetë i mjaftueshëm si kërkimfalje ndaj një vendi mik si Zvicra”, ka shkruar Hoti.

“Shkatërruan gjithçka brenda, tash rendin e kanë miqtë jashtë”. Kështu është shprehur deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka reaguar pas deklaratave të ministrit Pal Lekaj, që kërkoi largimin e ambasadorit zviceran nga Kosova.

“Logjika e kapjes: Mbaj “të tanët” që mashtrojnë me 53 milionë në autostradë, punësojnë gjithandej djem, reja, kusherinj e familjarë. – Dëbo “të huajt” që me para të taksapaguesve evropianë ndërtojnë ujësjellës, ruajnë kufijtë e lobojnë për ty jashtë”, ka shkruar Abdixhiku.

Abdixhiku ka thënë :“Shkatërruan gjithçka brenda. Tashti rendin e kanë miqtë jashtë. Me rëndësi kapja, kushdo që u del para, ka të njëjtin fat”.