Muzikë

Shfaqje baleti në Rusi me muzikë e lëvizje të “Rolling Stones”

Në koreografi të së dashurës balerinë të këngëtarit legjendar, Mick Jagger, trupa teatrore në Rusi ka dhënë premierën e baletit me muzikë e lëvizje të grupit “Rolling Stones”.

Baleti tetëminutësh i titulluar “Porte Rouge” (Dera e kuqe), u frymëzua nga lëvizjet skenike të yllit britanik dhe mblodhi qindra të pranishëm, në teatrin e famshëm “Mariinsky” të Shën Petersburgut.

E dashura e Jaggerit, Melanie Hamric, valltare amerikane, me mjeshtri i ktheu në shfaqje baleti këngët legjendare të grupit, siç janë “Paint in Black”, “Sympathy for the Devil” dhe “She’s a Rainbow”.

“Jam frymëzuar nga lëvizjet e Mickut, në këngën ‘Sympathy for the Devil’, me të cilën kërcen shumë. Ndjenjën e tij që ka veç dashuri, tentova ta fus në koreografi. Dua që valltarët ta shijojnë kohën në skenë dhe që ata t’i përvetësojnë lëvizjet e tij unike”, thotë Hamric.

Jagger, tani 75-vjeçar, kuroi muzikën e baletit dhe i ndihmoi që të zgjidhte këngët më të mira për këtë shfaqje. Drejtori i teatrit “Mariinsky” ka thënë se baleti është një kombinim i muzikës rok me vallëzimin klasik.