Autotech

Boeing riprogramon softuerin e aeroplanëve 737 MAX

Kompania amerikane Boeing ka thënë të mërkurën se ka riprogramuar softuerin e aeroplanëve të llojit, 737 MAX, në mënyrë që të parandalohen të dhëna të gabuara, çka mund të kenë shkaktuar incidente më parë.

Kjo kompani ka bërë këto komente në kohën kur është i është dhënë vëmendje ndërkombëtare, meqë dy aeroplanë të këtij lloji janë rrëzuar në gjashtë muajt e fundit, duke lënë qindra persona të vdekur.

Prodhuesi i aeroplanëve ka thënë të ketë bërë ndryshime në sistemin, që besohet se ka pasur probleme në të paktën një aksident, shkruan AlsatM, përcjell Albinfo.

Prandaj, sipas kompanisë, sistemi i ri softuerik do t’iu japë pilotëve më shumë kontroll.

“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’u siguruar se aksidentet si këto të mos ndodhin asnjëherë”, ka thënë nënpresidenti i Departamentit për Zhvillimin e Ardhshëm të Aeroplanëve në këtë kompani, Mike Sinnett.

Aktualisht, më shumë se 300 aeroplanë Boeing 737 MAX 8 dhe MAX 9 janë jashtë shërbimit në gjithë botën.

Shumica e shteteve, përfshirë Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të pezullojnë fluturimet me këtë lloj të aeroplanëve derisa të bëhen të ditura detajet e dy incidenteve të fundit në Etiopi dhe Indonezi, shkruan AlsatM, përcjell Albinfo.