Autotech
Mbi 800 mijë punëtorë punojnë në industrinë e veturave në Gjermani
Dhe me rreth 835,000 punëtorë, industria e automjeteve është punëdhënësi më i madh i Gjermanisë, përgjegjës njëkohësisht për një të pestën e eksporteve të vendit
Kalimi në veturat elektrike dhe ato me vetëdrejtim paraqet një sfidë të rëndësishme për kampionët kombëtarë të automjeteve si BMW, Daimler dhe Volkswagen, shkruan Bloomberg.
Gjermania është vendlindja e Karl Benz, krijuesit të automobilit të parë me motor me benzinë. Gjermania është edhe vendi ku prodhohen disa prej markave më të njohura të veturave në mbarë botën, si Volkswagen, BMW, Mercedes, Audi, dhe Porsche, që përbëjnë 80% të shitjeve globale të automjeteve luksoze.
Dhe me rreth 835,000 punëtorë, industria e automjeteve është punëdhënësi më i madh i Gjermanisë, përgjegjës njëkohësisht për një të pestën e eksporteve të vendit.
Sindikata IG Metall parashikon se punësimi në industrinë e automjeteve do të shënojë rënie gjatë këtij viti, transmeton ‘monitor’.
Gjermania mund të ketë arritur kulmin e industrisë së veturave, duke paraqitur kërcënim për një prej shtyllave më të rëndësishme të ekonomisë së saj, përcjell albinfo.ch.
Ndikimi që ka pasur industria e automjeteve në kulturën gjermane ka qenë shumë i madh. Autostradat pa limit shpejtësie dhe veturat që ecin në to janë mrekulli teknologjike që mbështesin një ekosistem të gjerë furnizuesish dhe zhvilluesish. Por, duke qenë se një numër i madh njerëzish po zhvendosen drejt veturave elektrike me vetëdrejtim, taksive të cilat mund t’i rezervojnë nëpërmjet aplikacioneve që kanë në celularët e tyre, pritet që kjo industri kaq e rëndësishme së bashku me avantazhet e saj, të zbehet.
Një ndër shqetësimet më të mëdha të gjermanëve është se fitimet do të shkojnë gjithnjë e më shumë ndaj kompanive të reja, si Waymo, Apple apo Uber Technologies.
Veturat me bateri nuk kanë nevojë për një saktësi të lartë inxhinierike saç kishin modelet tradicionale dhe rrjedhimisht ato do të kërkojnë një numër më të vogël punëtorësh.
“Më shumë se një e treta e 210,000 vendeve të punës në Gjermani në sektorin e prodhimit të motorëve dhe të transmisionit do të jenë zhdukur deri në vitin 2030. Prodhuesit e veturave mund të mbijetojnë vetëm si ofrues të shërbimeve të lëvizjes, jo më si prodhues të veturave”, shprehet, Horst Lischka, kreu i sindikatës IG Metall për Munihun dhe anëtar i bordit mbikëqyrës të BMW-së.
Ndryshe nga SHBA-ja, ku industria e prodhimit të veturave është e përqendruar në një pjesë të vogël të fortesave rajonale, industria e prodhimit të veturave në Gjermani shtrihet pothuajse në të gjithë Gjermaninë. Volkswagen e ka selinë qendrore në Wolfsburg, 225 kilometra në perëndim të Berlinit. BMW-ja dhe Audi kanë zyra dhe fabrika në të gjithë shtetin jugor të Bavarisë. Daimler AG dhe Porsche janë të vendosura në Shtutgart, në jugperëndim.
Pak më larg në veri, në Këln, ndodhet kompania Ford Motor Co., e cila punëson rreth 17.500 punëtorë. Dhe rreth Homburgut, pranë kufirit francez, furnizuesit si Bosch, ZF Friedrichshafen dhe Schaeffler bëjnë gjithçka nga transmisionet në injektorët e naftës e deri te pistonat. Punëtorët zakonisht paguhen mirë, ku ata që punojnë në industrinë e prodhimit paguhen rreth 20% më shumë se ata që punojnë në industrinë e shërbimeve, duke i dhënë kështu mundësinë qindra mijë njerëzve me diplomë vetëm të shkollës së mesme të gjejnë një punë me pagesë të kënaqshme.
Edhe vendet të cilat nuk kanë një histori të zhvilluar të industrisë së prodhimit të automjeteve e kanë përqafuar këtë sektor. Në Saksoni, për shembull, nuk u prodhua asnjë automjet modern përpara rënies së Murit të Berlinit. Pastaj në vitin 1991, VW filloi të prodhonte modelin Golf në qytetin Zwickau, tre orë në jug të kryeqytetit. Në vitin 1999, Porsche hapi një fabrikë pranë Lajpcigut, ku ajo prodhonte modelet SUV dhe Panamera.
Në vitin 2005, BMW përuroi njësinë e saj më të re afër Lajpcigut nga arkitektja shumë e njohur irakeno-britanike Zaha Hadid, e cila u cilësua në atë kohë si një prej fabrikave më të avancuara në botë. Sot, tre kompanitë dhe furnizuesit e tyre punësojnë rreth 95,000 njerëz në Saksoni dhe përbëjnë një të katërtën e prodhimit industrial të shtetit.
Edhe pse prodhuesit gjermanë të veturave kanë prezantuar programe ambicioze të prodhimit të automjeteve elektrike për të përballuar këtë situatë ndryshimesh, gjithsesi klima që mbizotëron në këtë industri nuk është aspak e qetë. VW do të shpenzojë 1.2 miliardë euro (1.4 miliardë dollarë amerikanë) për të pajisur fabrikën e saj në Zwickaun me pajisje dhe makineri të reja, për të prodhuar rreth gjysmë duzinë të modeleve të reja të automjeteve elektrike deri në vitin 2021, por ka lajmëruar edhe se numri i punëtorëve fatkeqësisht do të shkurtohet.
Këtu mund të përmendim edhe faktin se rreth tre vjet më parë, ajo krijoi edhe markën Moia, minibusin elektrik që pritet të revolucionojë transportin urban nëpërmjet sistemit të qarkullimit tërësisht të dixhitalizuar. BMW-ja dhe Daimler krijuan secila njësi për shërbimin “car sharing”, por pasi u përpoqën shumë për të rritur fitimet e tyre në këtë sektor, fatkeqësisht pa rezultat, ato i shkrinë këto njësi me njëra-tjetrën. Marka e re, Share Now, do të mbikëqyrë operacionet e përbashkëta të shërbimit “car-sharing”, si dhe nismat për furnizimin e automjeteve elektrike dhe aplikacioneve që do t’i vijnë në ndihmë shofereve për të gjetur parking.
“Mundësitë janë të shumta dhe këto ndryshime të fundit janë të rëndësishme sidomos në drejtim të biznesit tonë kryesor”, tha CEO-ja i BMW-së, Harald Krüger për Bloomberg TV.
Të ngjashme
Të tjera nga Autotech
E-Diaspora
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë Suksesi më i madh i Lëvizjes që drejton Florian Haçkaj ishte fitorja në Gjykatën Kushtetuese të...
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
Jeta në Zvicër
-
Tarifa e urgjencës prej 50 frangash vazhdon të shkaktojë polemika Polemika po rritet në lidhje me dënimin e propozuar për njerëzit që kërkojnë kujdes mjekësor urgjent...
-
Posta në Zvicër: Rekord i dërgimit të pakove për Krishtlindje
-
Gjykata Federale merr vendim për pensionin e burrave të ve
-
Çfarë faturash duhet të paguani përpara datës 31 dhjetor, në Zvicër?
-
Zvicra ka indeksin më të ulët të mjerimit në botë