Integrimi

Studentët kosovarë të interesuar për të studiuar në Gjermani

Shërbimi Gjerman për Shkëmbime Akademike (DAAD), çdo vit ofron bursa të ndryshme për studime në në universitetet gjermane. DAAD vëren rritjen e interesit për gjuhën gjermane në Kosovë

Zyra Ndërlidhëse e DAAD-së në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës është shumë e frekuentuar nga studentët që kanë pasion gjuhën gjermane dhe ëndërr studimin në Gjermani.

Një përvojë të tillë Erodita Elshani nga Prizreni tashmë e ka në biografi, e cila vitin e kaluar fitoi një bursë për të ndjekur një kurs intensiv gjuhe në Gjermani.

“Vitin e kaluar kam kaluar një muaj në Berlin dhe ka qenë një përvojë e re, e cila ka ndikuar edhe në formimin tim si person, se krahas gjermanishtës kam mësuar edhe shume gjera t´reja në lidhje me profesionin dhe jetën e përditshme“, thotë studentja e arkitekturës për DW.

Një përvojë, e cila nxiti atë të futet sërish në radhën e aplikantëve për një bursë të programit master për arkitekturë.

„Besoj, një vend i zhvilluar gjithmonë ka të ofroj më shumë se një shtet në formim e sipër si Kosova. Ndërsa, duke pasur një përvojë të mirë nga Gjermania ku edhe u lidha më ngushtë me kulturën gjermane, unë si arkitekte e pashë me interes të aplikoj që të vazhdoj studimet në Gjermani. Shpresoj t´ia dal sërish…!”

Sic raporton DW në programin e bursave të DAAD-së, më e favorshmja por edhe më e kërkuara është bursa për studime master.

Katharina Ertle, lektore në Zyrën Ndërlidhëse të DAAD-së, dega e gjuhës gjermane në Fakultetin e Filologjisë, ne Prishtinë e sheh në rrugë të mirë promovimin e këtij programi të DAAD-së.

 ”Ishim në shkolla të larta si: në Prizren, në Mitrovice, në Universitetin e Prishtinës, ndërsa të mërkurën do t´jemi në Universitetin e Pejës ku do t´i informojmë studentët por edhe mësimdhënësit për programin e bursave të DAAD-së.“,

Lektorja gjermane bën të ditur se interesi i madh do të bëjë që DAAD-i ta rrisë numrin e bursave të sivjetme për kurset verore të gjermanishtes.

“Por, do të gëzohesha shumë nëse aplikojnë më shumë të rinj, sepse duke qënë brenda një grupi ndërkomëbtar në Gjermani, ata do të mësojnë më shumë se gjuhën. Pra,do të kenë rastin për shkëmbim akademik në nivel ndërkombëtar. Ne i inkurajojmë studentët e të gjitha lëmive shkencore, por edhe artistët dhe arkitektët, që të aplikojnë për bursa në Gjermani, të cilat do t´i gëzojnë deri në përfundim të studimeve master“,shpjegon Ertle.

Të njëjtat shanse do t´iu ofrohen edhe studentëve nga shtetet e rajonit, të cilët duhet të kenë rezidencë mbi njëvjeçare në Kosovë.

„Pra, sa i rëndësishëm po aq inkurajues është fakti se ne nuk shikojmë në pasaportë apo përkatesinë etnike, tek DAAD, të gjithë kanë mundësi të barabarta konkurrimi dhe aplikimi“,thotë Ertle sipas së cilës, ofensiva informuese anekënd Kosovës do të sjell aplikantë të dalluar edhe nga universitet e tjera.

Ndër ta mund të jetë edhe Leutrim Fazliu nga Drenasi, i cili studion në fakultetin ekonomik dhe jo fort larg pati një kurs dymujor gjuhe në Institutin Goethe, në Mynih.

“Ishte një përvojë e mirë nga, e cila kam avancuar me gjuhën gjermane dhe kam mësuar shumë. Mendoj të aplikoj sërish për një rast të dytë. Këtë do t´ua sugjeroja edhe të rinjve të tjerë, sepse është një mundësi e mirë për të cilën ia vlen ta provosh fatin”, thotë Leutrimi.

Ndër bursat e programit të DAAD-së për vitin 2014/2015 përfshihen kurset verore universitare në Gjermani për studentë dhe të diplomuar, udhëtime dhe praktika studimore, bursa studimore për të diplomuarit në të gjitha disiplinat shkencore, por edhe për artistë dhe arkitektë, bursa për kandidatë të doktoraturës dhe shkencëtarë të rinj, qëndrime hulumtuese për mësimdhënës universitarë e studiues, apo ftesa për ish-bursistë.

Data e 15 dhjetorit 2013 për shumë student mund të jetë një hap drejt një porte të re diturie.