Kosova

Përplasje e ashpër VV dhe PSD për bllokimin e KQZ-së

Tashmë është bërë e zakonshme dhe nuk mund të thuhet se është më lajmë mungesa e deputetëve në Kuvendin e Kosovës. 

Po thuajse në të gjitha seancat e Kuvendit ka mungesë të theksuar të deputetëve dhe shumë çështje nuk mund të votohen. 

Pikërisht në mungesë të kuorumit sot nuk është votuar rezoluta për zhbllokimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Presidenti në seancën e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita. 

Pas debatit kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti, tha se nuk ka kuorum të votohet rezoluta dhe mbylli punimet. Iniciuesi i kësaj seance, Sami Kurteshi, paraprakisht në prezantimin e rezolutës tha se Kuvendi kërkon që dekretimi i anëtarëve të KQZ të bëhet pa asnjë vonesë sipas kushtetueses. 

Seanca e jashtëzakonshme kaloi me akuza dhe kundër akuza ndërmjet deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe atyre të PSD-së që në këtë legjislaturë hynë nga e njëjta parti por që më vonë u ndanë. 

Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu akuzoi PSD se me presidentin e Kosovës po bëjnë pazare politike edhe për përfaqësuesin e tyre në KQZ. Ajo tha se PSD përfaqësohet në KQZ nga PDK-ja pasi në kohën e zgjedhjeve kjo parti ka qenë në koalicion me PAN-in. 

Deputeti i PSD-së Dardan Molliqaj iu kundërpërgjigj ish-bashkëpartiakes së tij nga Vetëvendosje duke i thënë se ata nuk dinë të lexojnë asnjë dokument të shtetit, andaj për çfarëdo çështje që ngritin ata humbin.