Integrimi

Hollande i ofron Leonardës të kthehet në Francë pa familjen

Presidenti francez, François Hollande në deklaratën e tij të sotme i ka ofruar vajzës që të kthehet në Francë dhe të vazhdojë shkollimin.

Protestat e nxënësve dhe të tjerëve lidhur me dëbimin nga Franca në Kosovë të vajzës kosovare me përkatësi rome e kanë detyruar së fundi të deklarohet edhe presidenti vendit, François Hollande. Ai, në deklaratën e tij të sotme i ka ofruar vajzës që të kthehet në Francë dhe të vazhdojë shkollimin.

Por presidenti me këtë rast ka specifikuar se “kthimi i lejohet vetëm asaj dhe vetëm nëse dëshiron të vazhdojë shkollimin në Francë. Me këtë ai e ka bërë të qartë se anëtarët tjerë të familjes së Leonarda Dibranit 15 vjeçe nuk lejohen të kthehen.

Rasti i nxënëses rome ka ngjallur reagime dhe protesta të shumta në Francë, pasi që policia e ka marrë atë nga autobusi ku ishte me shokët e shkollës, pas kthimit nga një ekskursion. Prindërit dhe familjarët tjerë ë saj po ashtu ishin dëbuar.

Familja Dibrani është kthyer dhunshëm në Mitrovicë, prej nga kryefamiljari kishte deklaruar se kishin prejardhjen. Ndërkohë ai ka thënë se i vetmi në familje  me prejardhje nga Kosova është ai. Fëmijët, përfshirë edhe Leondardën, kishin lindur në Itali, prej nga kishin ikur dhe kishin kërkuar azil në Francë duke u prezantuar si kosovarë.