Shqipëria

Profesioni më i paguar në Shqipëri

Paga mesatare në sektorin bankar dhe atë të sigurimeve është 111.6 mijë lekë (më shumë se 800 euro), sipas të dhënave të INSTAT, ose rreth një mijë dollarë në muaj

Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të  katërt 2018, është 52.312 lekë (419 euro), duke u rritur me 3,4 % krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, raportoi INSTAT në një publikim të posaçëm për pagat.

Puna në bankë, apo në një shoqëri sigurimi është sot më e paguara në vend, sipas INSTAT. Paga mesatare në sektorin banker dhe atë të sigurimeve është 111.6 mijë lekë (më shumë se 800 euro) sipas të dhënave të INSTAT, ose rreth një mijë dollarë në muaj.

Gjatë tremujorit të katërt 2018, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në sektorin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit është 113,4 % më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grupsektorin e Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit është 28,6 % më e ulët, raportoi INSTAT, shkruan ‘monitor’.

Gjatë tremujorit të katërt 2018, paga mesatare bruto për grup-aktivitetin Arte, argëtim dhe çlodhje; Aktivitete të tjera shërbimi, ka rritjen më të madhe prej 10,3 % krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, ndërsa ndërtimi është i vetmi grup-aktivitet që ka ulje prej 1,2 %, përcjell albinfo.ch.

Gjatë tremujorit të katërt 2018, paga mesatare mujore bruto, për një të punësuar në grup-profesionin e ligjvënësve, nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë është 94,8 % më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar. Në vlerë absolute, paga minimale në këtë sektor është 101.8 mijë lekë.

Paga për grup-profesionin e teknikëve dhe specialistëve në zbatim ka rritjen më të madhe prej 7,1 % gjatë tremujorit të katërt 2018, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar (në vlerë absolute arriti në 59.3 mijë lekë), ndërsa për grup-profesionin e të punësuarve në Forcat e armatosura ka uljen më të madhe, prej 2,2 %.

Grup profesioni i tretë më i paguar në vend është informacioni dhe komunikacioni me rreth 78 mijë lekë (624 euro) në muaj, i ndjekur nga specialistët me arsim të lartë, që marrin mesatarisht rreth 70 mijë lekë (560 euro) në muaj.

Më pak paguhen punonjësit në bujqësi, me 31 mijë lekë (250 euro) në muaj, të ndjekur nga punonjësit elementarë, po me rreth 31 mijë lekë (250 euro) në muaj.