Zhvillim

Remitencat shkojnë në konsum

Sipas një përllogaritje, dërgesat e mërgimtarëve shkojnë mbi 600 milionë euro, ndërsa më shumë se gjysma e remitencave vijnë nga Gjermania dhe Zvicra

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës dërgesat nga diaspora këtë vit kanë shënuar rritje për 4 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Por, shumica e parave që dërgojnë bashkatdhetarët nga Zvicra e Gjermania po shkojnë për konsum të përgjithshëm.

Sipas një përllogaritje, dërgesat e mërgimtarëve do të shkojnë mbi 600 milionë euro, ndërsa më shumë se gjysma e remitencave, mbi 60 për qind vijnë vetëm nga Gjermania dhe Zvicra, ku komuniteti kosovar është më i përqendruar.

Raportet e fundit të bëra publike nga Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë treguar se mund të ketë rrezik të madh për uljen e remitencave nga mërgimtarët kosovarë, për shkak të ndikimeve nga kriza në eurozonë, raporton KTV.  

Këtë fakt e pranojnë edhe zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës, mirëpo thonë se tash përqendrimi duhet të bëhet më shumë në nxitje të investimeve nga mërgimtarët.  

Diaspora mbetet faktori kryesor që ka mbajtur të gjallë zhvillimin ekonomik të vendit.Mirëpo, këto para po e financojnë importin e lartë që po mbizotëron me të madhe në krahasim me eksportin e vogël që e kemi.

Sipas statistikave institucionale, remitencat gjatë viteve kanë ndryshuar, por lakorja ka shkuar vetëm përpjetë. Në vitin 2004 janë regjistruar 357 milionë euro remitenca; në vitin 2005-418 milionë; 2006-467 milionë; 2007-515 milionë; 2008-535 milionë; 2009-585 milionë; 2010-584 milionë dhe 2011-584 milionë euro, në vitin 2012 rreth 600 milionë.