Integrimi

Ambasadori Mehmet Elezi përfundon misionin në Zvicër

"Dëshiroj të falënderoj përzemërsisht shqiptarët dhe qytetarët me prejardhje shqiptare që punojnë e jetojnë në Zvicër, për bashkëpunimin e shkëlqyer me ambasadën gjatë këtyre viteve", thotë në mesazhin e tij z. Elezi

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë Mehmet Elezi me 17 Nëntor 2013 përfundon misionin si ambasador në Konfederatën Zvicerane e në Principatën e Liechtensteinit dhe kthehet në Tiranë.

Në mesazhin për bashkatdhetarët në Zvicër ambasadori Elezi thekson:

Ishte nder dhe kënaqësi e veçantë për mua të përfaqësoj Shqipërinë në një  vend të zhvilluar, demokratik e miqësor si Zvicra.

Dëshiroj të falënderoj përzemërsisht shqiptarët dhe qytetarët me prejardhje shqiptare që punojnë e jetojnë në Zvicër, për bashkëpunimin e shkëlqyer me ambasadën gjatë këtyre viteve. Kemi pasur mirëkuptim të plotë  për domosdoshmërinë e integrimit të shpejtë në shoqërinë zvicerane, duke përfituar sa më shumë prej vlerave të kësaj shoqërie dhe duke kontribuar për lulëzimin e mëtejshëm e pasurimin kulturor të saj. Dhe po ashtu për domosdoshmërinë e ruajtjes së gjuhës shqipe e të vlerave kombëtare shqiptare, që përbëjnë pjesë autentike në mozaikun e shumëngjyrshëm të kulturës e qytetërimit europian, thekson ambasadori Elezi në përshëndetjen e tij.