Shkurt.ch

OBSH në Zvicër, me strategji për të mbrojtur popullsinë nga gripi

Organizata Botërore e Shëndetësisë nisi sot një strategji globale për të mbrojtur popullsinë nga gripi në dekadën e ardhshme, pasi paralajmëroi se pandemitë e reja janë të pashmangshme.

Epidemitë e gripit, kryesisht ato sezonale prekin rreth një miliardë persona dhe shënojnë qindra mijëra të vdekur çdo vit, sipas OBSH-së, e cila vlerëson se bëhet fjalë për një nga sfidat më të mëdha shëndetësore në shkallë globale.

‘’Strategjia botërore e luftës ndaj gripit 2019-2030 i agjencisë së specializuar së OKB-së synon të parandalojë gripin sezonal, të kontrollojë transmetimin e virusit nga kafshët tek njerëzit dhe përgatitet për pandeminë e ardhshme të gripit’’, sqaron OBSH-ja në një komunikatë, shkruan atsh, përcjell albinfo.ch.

‘’Kërcënimi i gripit pandemik është gjithnjë i pranishëm’’, deklaroi shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Bota ka përjetuar disa pandemi vdekjeprurëse të gripit, ku më tragjikja regjistrohet ajo e gripit spanjoll, ku vdiqën dhjetëra miliona persona në 1918-ën.